Fillim të mbarë në vitin e ri shkollor 2018/2019 në Austri
Isa Kosumi, Konsull i Republikës së Kosovës në Austri
“Kurrë nuk kemi të drejtë të quhemi komb i qytetëruar, sado që të mësojmë gjuhë të huaja, sepse kombi nuk qytetërohet vetëm me mësimin e gjuhëve të huaja, por me mësimin e gjuhës së vet”, Filip Shiroka.
Të dashur nxënës!
Të nderuar mësues!
Të nderuar prindër e bashkatdhetar!
Një fillim të mbarë në vitin e ri shkollor 2018/19, ju dëshiroj hapërim të sigurt drejt kaltërsive të horizontit të dijes.
Nxënës të nderuar, ardhmëria jonë e ndritur!
Uroj që vitin kalendarik mësimor këtu në shtetin mik austriak, ta filloni me mësimnxënje në përgjithësi dhe mësimin plotësues të gjuhës amtare shqipe në veçanti. Të jepni maksimumin nga vetja e juaj për të arritur suksese në hapjen e dritareve të reja të dijes, të shtigjeve të pashkelura deri me tani, të hapjes së dyerve për të ecur vet…!
Ju me mësimin e gjuhës amtare, vazhdoni të realizoni në praktikë amanetin, përpjekjet mbinjerëzore, mundin dhe sakrificën shekullore të Rilindësve tonë shqiptar, mendjendritur dhe pishtarëve të dijes.
Të dashur nxënës,
Mësimi i gjuhës amtare është obligim i juaj moral, kulturor, kombëtar. Gjuha është identiteti, letërnjoftimi ynë, fjalë e nënave që ju thuren ninullat e para, kur erdhët në këtë botë. Kombi identifikohet me gjuhën, gjuha e cila është shoqëruesja e juve e përjetshme, në hapjen e perspektivave tuaja, ajo është udhërrëfyesi i juaj kryesor i diturisë për sukseset tuaja të tashme dhe të ardhme, sepse nëse e mësoni, folni dhe shkruani bukur dhe rrjedhshëm shqip, ajo do jetë çelësi i juaj magjik për hapjen e çdo dere në të ardhmen tuaj të ndritur.
Të nderuar mësues,
Ju sot keni pranuar një detyre të shenjët, një barrë etike në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe formimin e personalitetit të nxënësve tanë në të ardhmen. Jeni Ju, ata të cilët çdo ditë shkrini veten vetëm e vetëm, që drita e juaj të ndritë brezin tonë, kombin tonë dhe perspektiven tonë, pa e harruar të kaluarën, të tashmen dhe leksikonin e së ardhmes.
Jeni Ju, ata të cilët mbani gjallë kulturën, arsimin dhe dinjitetin e më të dashurve tanë. Jeni gjenerator i prodhimit të dijes dhe mësimdhënie për tu distribuuar në shtëpitë e çdo bashkatdhetari tonë, për t`u pajisë me dritë dhe dituri. Puna e Juaj e shenjët, ju ka nderuar, bekuar dhe ju ka bërë të ndritur, për detyrat, obligimet dhe përgjegjësitë tuaja kombëtare në ruajtjen e identitetit personal, kombëtar të gjeneratave të reja këtu në mërgim.
Të nderuar prindër,
Ju drejtohem me një apel apo kërkesë, për të sotmen dhe për të ardhmen e fëmijëve tuaj!
Me shumë mund arritëm të hapim shkollën shqipe kudo në mërgatë. Arritëm që gjuha shqipe të mësohet edhe nëpër shkolla. U hap një dritare e diturisë, një gëzim, gjithmonë duke e falënderuar shtetin mik Austrinë, i cili në vazhdimësi na mbështeti, përkrahu dhe ishte afër nesh edhe në momentet më të vështira, dje, sot, por besoj edhe nesër. U jemi shumë mirënjohës dhe falënderues.
Të dashur prindër, Ju bashkatdhetar,
Jeni sot personazhi kryesor dhe vendimtar në vendimmarrje, për vazhdimin e mësimit plotësues të gjuhës amtare, mos lejoni që ky gëzim të shuhet, mos lejoni që prapë të mbyllet kjo dritare e diturisë. Do ju mallkoj koha. Mos përbuzni të mirat që shteti austriak ju dhuroj, dhe në fund do ju gjykojnë edhe vet fëmijët tuaj.
Duke e njohur dhe çmuar punën tuaj të zellshme dhe shumë fisnike besoj fuqishëm se, në këtë vit vargut të sukseseve tuaja, do ta shtoni edhe këtë obligim që keni si obligim moral dhe edukues ndaj fëmijëve tuaj, ndaj brezit të ri,ndaj perspektivës tonë.
“Gjuha Shqipe është i vetmi mjet i ndriçimit dhe i përparimit moral. Ajo është një gjuhë e fuqishme dhe e bukur që duhet të jetë krenaria e folësve të saj dhe një mjet i shenjtë për zhvillimin kulturor dhe intelektual të kombit të vjetër shqiptar”.- Holger Pedersen
Të mësuarit e gjuhës amtare është një proces i gjatë dhe i ndërlikuar. Ai fillon të zhvillohet shumë herët, atëherë kur fëmija dëgjon në vetëdijen e vet fjalët e para të gjuhës së nënës së bashku me përmbajtjen kuptimore të tyre. Mësimi i gjuhës, është ndër mësimet e para që nis të përvetësojë njeriu. Mësimi i gjuhës amtare është bazë që përcakton zhvillimin intelektual, emocional e shoqëror të një nxënësi, në veçanti, por edhe të njeriut në përgjithësi. Andaj buron teza me karakter transformues për teorinë e psikologjisë dhe pedagogjisë se të mësuarit duhet t’i paraprijë zhvillimit të aftësive mendore dhe fizike të fëmijëve, pasi aftësitë, që nuk nxitën dhe nuk zhvillohen në kohën e duhur në moshë të re, atëherë në një shkallë të konsiderueshme ato dobësohen apo humbin.
“Gjuha letrare s’është vetëm thesari i kulturës sonë, por edhe mjet i fortë për mbrojtjen e etnisë shqiptare”- I. Ajeti
“ Gjuha është sendi më i çmueshëm i një populli dhe për popullin shqiptar është i vetmi thesar”-E. Çabej
Pra të mësuarit e gjuhës ndikon edhe në ruajtje dhe zhvillim të identitetit kombëtar, integrim më të lehtë në shoqëritë vendore përmes afirmimit dhe zhvillimit të identitetit kombëtar – kulturor dhe integrimi më i lehtë në shoqërinë e Atdheut, në rast të kthimit, apo vizitave.
Prandaj, u bëj thirrje edhe shoqatave, biznesmenëve, të gjithë mërgimtarëve të emancipuar që të mbështesin shkollimin shqip duke falënderuar rrolin e rëndësishëm që po luan Qeveria e Republikës së Kosovës, e Republikës së Shqipërisë , MD dhe MASHT- i Kosovës, si dhe LAPSH-i, si bartëse organizative, praktike e profesionale të Shkollave Shqipe me mësim plotësues në Austri, çka edhe i jemi shumë mirënjohës dhe falënderues Austrisë për përkrahjen institucionale në vazhdimësi.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri, përcjell me interesim të madh, përkrahë dhe asiston në këtë sferë relevante, ndërsa unë si Konsull i Republikës së Kosovës në Austri, në kuadër të detyrave, obligimeve, përgjegjësive dhe kompetencave zyrtare që kam, jam dhe do të jem në shërbimin tuaj imediat në arritjen dhe lehtësimin e planeve, programeve, sfidave, për ngritjen e suksesit në nivelin sa më të lartë në superlativ.
Në dekadën e parë të këtij shekulli, ndodh një kthesë në jetën e mërgimtarëve në Austri. Shqiptarët fillojnë të orientohen më shumë në drejtim të integrimit më të mirë në jetën shoqërore në Austri ,dhe kjo në njërën anë është një gjë e mirë, por në anën tjetër integrimi nuk nënkupton që duhet të hiqet dorë nga identiteti apo gjuha.
Të nderuar prindër!
Kërkoj asistencën tuaj në përkrahjen e fëmijëve në zgjerimin e njohurive të tyre në gjuhën shqipe, në thellimin e njohurive për historinë dhe kulturën tonë që i ndihmojnë të konfrontohen në mënyrë konstruktive me situatën e tyre, të të jetuarit në kultura të ndryshme. Mësimi i gjuhës amtare, është një e drejtë fundamentale e ratifikuar me konventa ndërkombëtare. Andaj, është obligim i prindërve që të kujdesen që fëmijët e tyre, t’i dërgojnë në mësimin plotësues të gjuhës shqipe. Dërgoni fëmijët tuaj në shkollë, sepse punën që e bënë shkolla nuk e bën dot familja.
“Rëndësia e kësaj strategjie qëndron në aspektin e ruajtjes së identitetit kombëtar. Gjenerata e dytë, gjenerata e tretë e diasporës, do të treteshin dhe asimiloheshin, nëse nuk do të kishte mësim plotësues shqip në vendet ku ata jetojnë. Kështu që është një ndër veprimet më të qëlluara, të dobishme, dhe jashtëzakonisht humane”.
Suksese në këtë vit të ri kalendarik mësimor 2018/19.
Ju priftë e mbara!