Fillimet e arsimit shqip në fshatin Irzniq deri më 1945
Që nga viti 1813 në Irzniq ishte ndërtuar xhamia e fshatit e në mejtepin e kësaj xhamie i gjejmë fillimet e mësimit. Fshati Irzniq ishte i njohur për udhëheqës fetarë; Mulla Avdylin, Mulla Ramën, Mulla Metën, të gjithë te familjes Çekaj.
Ndërsa fillimet e mësimit në gjuhën shqipe në shkronja latine në fshatin Irzniq datojnë në periudhën Austro-Hungareze 1915-1917 me mësuesinë Ibrahim Fehmiu, (i lindur në Gjakova në vitin 1892 dhe ndërroj jetë më 19 dhjetor 1951).
Asnjë nxënës nuk e kreu shkollën, sepse pas tre vjet pune, më 1918, regjimi i Mbretërisë SKS i mbylli këto shkolla që mësuan shqip dhe nuk lejoi që të përdorej asgjëkundi fjala dhe shkronja në gjuhen shqipe.
Kështu, nxënësit shqiptarë, me mundime të mëdha, do të jenë të detyruar të ndjekin mësimet në serbisht, në mejtepin e xhamisë që do të rihapen më 1927 në Irzniq.
Foto: Xhamia e fshati Irzniq e ndërtuar gjatë viteve 1813 në mejtepin e së cilës filluan mësimet e para kjo xhami u dogj dhe u shkatërrua krejtësisht gjatë luftës çlirimtarë 1998 u rindërtua gjatë vitit 2002.
Me fitoren e Ali Haxhisë, kryetar i komunës në Irzniq, pas viteve 1930, ishte revolucion i vërtet për banorët e kësaj zone. Ai ishte largpamës dhe ishte shumë i mençur, sepse e kishte të qartë se aq sa i duhej buka e gojës njeriut po aq popullit shqiptar i duhej dituria. Fillimi ishte shumë i vështirë, kishte mungesa të objektit shkollor, mbi 95 për qind e popullsisë ishin analfabetë.
Kështu filloi ndërtimin e parë të objektit shkollor në Irzniq si dhe u kërkoi kryefamiljarë t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë edhe pse mësimi zhvillohej në gjuhen serbe. Ali Haxhia deklaronte “Nuk është me rendësi në çfarë gjuhe mësojnë fëmijët, mirë është shqip, por kushtet dhe rrethanat s’i kemi, andaj çoni sa më shumë fëmijët në shkollë”. Ali Haxhia filloi të punoj ngushtë me imamin e Xhamisë në fshat, Bajram Agani – Boshnjaku, një atdhetar i madh, nga i cili kërkoi të bëhet mbështetës i dërgimit të fëmijëve për të mësuar në shkollën e kësaj komune.
Foto: Ali Haxhia (1900-1942) kryetar i komunës së Irzniqit
Viti shkollor 1933, komunën e Irzniqit e gjen me objekt të ri shkollor duke u larguar nga mejtepi i xhamisë në qendër të fshatit.
Mësuesit e parë shqiptarë para shkollës në Irzniq
Ali Haxhia për të edukuar breza të ardhshëm hapi paralele edhe në fshatrat Rostovic dhe Lumbardh, ndërkaq në vitin 1936 edhe në fshatin Ratish.
Angazhimi maksimal në ketë drejtim i kryetarit me bashkëpunëtorë i dha rezultatet e para, kështu gjatë viteve 1936-7 në komunën e Irzniqit mësonin mbi 500 nxënës, mirëpo numri i vogël ishte i nxënësve shqiptarë.
Marrëveshja ndërmjet Gjermanisë dhe Italisë e datës 21 prill 1941, me të cilën Mbretëria Italiane bashkon pjesën më të madhe të Kosovës dhe të trevave të tjera shqiptare me Shqipërinë. Gjatë kësaj periudhe 1941-1944 ishte formuar qeveria. Ministër i Arsimit ishte emëruar në këtë kohë lufte shumë të vështirë shkrimtari dhe intelektuali Ernest Koliqi, i lindur në Shkodër më 20 maj 1903, ndërsa vdiq në Romë më 15 janar 1975.
Është kjo kohë e hapjes së shkollave shqipe në Kosovë dhe në trojet shqiptare, që në planin kombëtar merr një rendësi të dorës së parë falë angazhimit të drejtpërdrejt të Ernest Koliqit.
Në tokat e liruara të Kosovës, Koliqi emëroi Ali Hashorva-n kryetar të Misionit Shkollor të Jashtëzakonshëm. Sipas letrës të dërguar më 23.06.1941 nga ministri Ernest Koliqi, ai kërkon studimin e gjendjes së arsimit fillor e të mesëm si dhe rregullimin e kurseve verore për gjuhen shqipe për të mëdhenjtë e të vegjlit.
Vendimi i Ministrisë së Arsimit ishte që plani mësimor në gjithë territorin e tokave të liruara të jetë i njëjtë si në Shqipëri, vetëm me një ndryshim të vogël me shtimin e orëve të gjuhës shqipe.
Foto: Ernest Koliqi (1903-1975) ministër i Arsimit
Gjatë kësaj kohe nxënësit në këto shkolla ishin te fshatrave: Irzniq, Gllogjan, Ratish, Lumbardh, Pozhar, Prokolluk, Prejlep, Restovic dhe Llukë e Poshtme, mirëpo asnjë nxënës nuk vijonte mësimin në shkollë të Irzniqit.
Shkolla në Irzniq ishte 5-vjeçare dhe numri i nxënësve në vitin 1941-1941 kishte 140 nxënës. Në klasën e parë u mësua në dy paralele; klasa I-a kishte 44 nxënës me mësuesin Dulë Pashaj, i cili ishte edhe drejtor, ndërsa klasa I-b kishte 30 nxënës që i mësonte Avdyl Xhafa.
Gjatë këtij viti në klasën e II – mësonin 36 nxënës, klasa III 16 nxënës dhe klasën e IV kishte 14 nxënës.
Vitet që pasuan, lufta po e bënte të veten dhe numri i nxënëse fillojë të binte gjate vitit 1943 -1944 në shkollën e Irzniqit e gjejmë me 67 nxënës. Të ndarë sipas klasave: klasa I -16 nxënës, klasa II – 12 nxënës, klasa III – 26 nxënës, klasa IV – 13 nxënës, ndërsa mësues në këtë kohë ishte Kolë Zeza.
Foto: Mësuesi Avdyl Xhafa me nxënësit e tij 1941-42
Pas vdekjes së Ali Haxhisë, kryetar i komunës ishte emëruar Rustem Avdyli, i cili ishte me detyrë në komunën e Istogut. Rustem Avdyli i lindur në vitin 1911, ishte një patriot i dalluar i familjes Mulozmineve të gjakut të Bibak Alisë nga fshati Bujani i Tropojës, i cili po ashtu ishte ithtar i arsimit.
Foto: Rrustem Avdyli (1911-1944) kryetar i komunësë Irzniqit
Duke u bazuar në Dekretin Ministror të publikuar në Fletoren Zyrtare të Mbretërisë Shqiptare të datës 27 nëntor 1942 në shkollën e Irzniqit ishte emëruar mësuesja Nimete Kabashi. Po ashtu duke u bazuar në disa dokumente arkivore të datës 26.VI.1943 mësojmë që Zef V. Nekaj ishte kryetar komisioni për vlerësimin e nxënësve si; Ali R. Kadriu, Bajram S. Haskaj, Isa T. Selmani, Xhemail A. Ferizi, Mehmet M. Haskaj, Dervish R. Pepa, Ndue V. Nekaj, Nikoll P. Doçi, Sadik Arifi Rizaj etj. Gjatë kësaj kohe disa mësues emëroheshin për gjashtë muaj dhe pastaj i hasim emrat e tyre nëpër shkolla tjera si mësueses Zeqikja Elmazi nga Brodi i Gores.
Foto: Mësuesit e ardhur nga Shqipëria në shkollën e Irzniqit
Gjatë kësaj kohe organizoheshin kurse pedagogjike disamujore për nxënësit që i kishin vijuar mësimet në mbretërinë jugosllave në gjuhën serbe si Adem dhe Mustaf Haskaj. Ripushtimi i Kosovës 1945, vendosja e administrimit ushtarak dhe pastaj administrata sllavo komuniste jugosllave e Titos, në këtë periudhë të Shqipërisë u mundua të shlyen nga kujtesa e historisë duke bërë masakra, e vrasje dhe burgosje të nacionalistëve të dalluar nga brigadat komuniste në fshat. Mjafton të kujtojmë ekzekutimin e atdhetarit Cenë Bajrami te familjes Dacaj 1945 të cilin e vranë në praninë e familjes dhe shumë fëmijëve të fshatit që edhe sot kur e kujtojnë këtë ngjarje u rrjedhin lotët. Mësimet në shkollën e fshatit Irzniq do të vazhdojnë në vitin 1947. Këshilli popullor i rrethit të Gjakovës merr vendim që në fshatin e Irzniqit të formohet Gjimnazi i Ulët, së pari mësimi do të zhvillohej në gjuhen serbo-kroate dhe pas dy vitesh në gjuhën shqipe që numëroi 54 nxënës.
Autor: Ismet Haskaj
P.S / Për çdo sugjerim apo plotësim, mirëpres bashkëpunimin tuaj.
Prishtinë, 15 tetor 2024