Fillimi i vitit të ri shkollor, më 1 shtator, me prani fizike në shkolla
Për të diskutuar për përgatitjet që janë bërë për fillimin e vitit të ri shkollor 2021/2022, të mërkurën është mbajtur takimi i Kolegjiumit për Arsim të Asociacionit të Komunave të Kosovës me drejtorët komunalë të arsimit, e ku ka marrë pjesë ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.
Në këtë takim u konkludua se janë bërë të gjitha përgatitjet nga ana e komunave të Kosovës dhe ministrisë në mënyrë që viti i ri shkollor të fillojë më 1 shtator me prani fizike në shkollë.
Ministrja Nagavci ka theksuar se MSh-ja dhe IKShPK-ja rekomandojnë që ky vit shkollor të fillojë me prani fizike në shkollë. Ajo i informoi drejtorët komunalë të arsimit për përgatitjet që janë bërë nga ana e ministrisë për fillimin e vitit shkollor.
Ndër të tjera, ministrja ka thënë se tashmë ka filluar shpërndarja e teksteve shkollore dhe shumë shpejt DKA-të do të kenë edhe protokollet dhe udhëzuesin e rishikuar për organizimin e mësimit në kushte të pandemisë.
Ministrja Nagavci ka falënderuar drejtorët komunalë, por edhe të gjithë aktorët e tjerë që menaxhojnë situatën pandemike, për punën që kanë bërë deri më tani. Por, ajo theksoi nevojën e bashkëpunimit edhe më të shtuar për fillim të këtij viti shkollor, duke pasur parasysh situatën pandemike në vend.
Ministrja Nagavci, po ashtu, u bëri thirrje edhe mësimdhënësve, nxënësve dhe prindërve që të kujdesen maksimalisht, duke zbatuar masat e rekomanduara nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKShPK.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi dhe kryetari i Kolegjiumit për Arsim, Besim Avdimetaj, theksuan se është lajm i mirë fillimi i vitit shkollor me prani në shkollë.
Ndërsa drejtorët e DKA-ve thanë se shkollat janë përgatitur për fillim të vitit shkollor ndërsa, sipas statistikave që ata paraqitën, mesatarja e personelit arsimor të vaksinuar me njërën dhe me të dyja dozat e vaksinës është rreth 70 për qind deri më tani.
Drejtorët e DKA-ve, po ashtu, kanë paraqitur disa vështirësi rreth çështjes së rekrutimit të stafit, si dhe vështirësitë që po krijojnë obligimet që dalin nga Kontrata Kolektive.
Ky takim është zhvilluar pas takimit që ka pasur të mërkurën ministrja Nagavci me përfaqësues të MSh-së, të IKShPK-së dhe të UNICEF-it, ku është biseduar rreth masave kundër pandemisë që duhet të zbatohen në shkolla.