Filloi asfaltimi i rrugës Gurbardh-Dragobil
Në kuadër të investimeve kapitale dhe realizimit të projekteve në ndërtimin e infrastrukturës rrugore në Komunën e Malishevës, të mërkurën ka filluar asfaltimi i rrugës që lidhë fshatrat Gurbardh dhe Dragobil, përkatësisht lagjen Pallanka.
Në fillimin e asfaltimit të kësaj rruge, ishte i pranishëm edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, i cili i ka uruar banorët për këtë rrugë.
“Uroj që banorët e këtyre dy fshatrave, si dhe të fshatrave tjerë, pasi kjo rrugë shërben edhe si rrugë transite, ta gëzojnë rrugën e re, e cila shkurton për dhjetëra kilometra lidhjen mes dy fshatrave, por në të njëjtën kohë lehtëson edhe lëvizjen e fshatrave tjerë të Malishevës, të cilët lëvizin nëpër këtë rrugë, që lidhet edhe me qendrën komunale, por edhe me qytetet tjera”, ka thënë Berisha
Rruga Gurbardh-Pallanka, ka një gjatësi prej 850 metra, me gjerësi prej 5.5 metrave dhe ka rëndësi madhe, pasi banorët e këtyre dy fshatrave, është dashur që së pari të shkojnë në Malishevë, e pastaj të mbërrijnë në tek njëri tjetri, duke e shkurtuar rrugën për më shumë se dhjetë kilometra.
Kjo rrugë, përveç që lidhë fshatrat Dragobil e Gurbardh, lidhë edhe Mirushën dhe Burimin dhe është një lloj transiti, pasi fshatrat në pjesën perëndimore dhe veriperëndimore të Malishevës, mund ta shfrytëzojnë këtë rrugë, për tu lidhur në magjistralen Malishevë-Rahovec në drejtim të Prizrenit e Gjakovës, sikur që lidhë edhe me rrugët që shkojnë në drejtim të Suharekës.
/Epoka e re/