Filloi java e produkteve austriake në Kosovë
Oda Ekonomike e Austrisë në Kosovë, Zyra Tregtare pranë ambasadës së Austrisë në Prishtinë, në bashkëpunim me “Meridian Express”, kanë organizuar të hënë në mbrëmje eventin “Java Austriake” në Prishtinë.
Nga data 28 tetor deri më 1 Nëntor 2019 do të mbahet “Java Austriake” në Prishtinë.
Vjosa Huruglica, udhëheqëse e zyrës së Odës Ekonomike austriake në Kosovë, ka thënë se së bashku me koleget e saj të Lubjanës kanë vizituar marketin “Meridian Express”, dhe thuajse në çdo të dytin produkt kanë parë flamurin austriak.
Kurse, Agron Gashi drejtori i “Meridian Express”, ka thënë se është kënaqësi që për herë të tretë po shënohet eventi ditët austriake. “Për ne ky organizim është thjeshtë, minimumi që mund të bëjmë për t’i falënderuar kompanitë austriake për kontributin që kanë dhënë në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ne punojmë nga viti 2000 e tutje me breindin “Rauch” dhe “Red Bull”, ku jemi distributor ekskluziv për Kosovë”, është shprehur ai.
Në emër të Odave të Ballkanit Perëndimor, ka folur Safet Gërxhaliu, i cili ka thënë se spektri i biznesit e ka bërë atë që politika s’ka mundur ta bëjë prej vitesh sa i përket imazhit të vendit dhe zhvillimit ekonomik. “Është kënaqësi e veçan të jem në mesin tuaj pasi shteti mik austriak ka rëndësi multidimensionale. Dua të besoj se kjo traditë do të vazhdojnë dhe në të ardhmen, pasi komuniteti i biznesit ka bërë hapa më të mëdhenj se politika”, u shpreh Gërxhaliu.
Peter Hasslacher, drejtor në Slloveni, Shqipëri dhe Kosovë, nga “Advantage Austria”, ka thënë se “Meridian” është storie suksesi. “Meridian është storie suksesi viteve të fundit dhe ofron kualitet. Kualiteti dhe shopingu në Kosovë përkatësisht në “Meridian”, është i njëjtë sikur në Evropë”, ka deklaruar Hasslacher.
/Epoka e re/ Albulena MAVRAJ