Filloi kursi i trajnerëve për Licencën B të UEFA-s
Federata e Futbollit e Kosovës ka nisur të hënën me kursin e trajnerëve për Licencën B të UEFA-s, që mbahet për herë të parë nën ombrellën e saj.
Në hapje të këtij kursi morën pjesë anëtari i KE të FFK-së, Bakir Burri, sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, Anna Stege nga ambasada gjermane, Horst Kriete ekspert nga federata gjermane, drejtori teknik i FFK-së, Mihael Nees dhe Sanije Krasniqi, menaxhere e FFK-së për Grassroots.
Në fazën e parë dhjetëditore pjesëmarrësit do t’i ndjekin ligjëratat dhe punën praktike me ekspertë të këtij profesioni, derisa në nëntor do të mbahet edhe faza e dytë ku trajnerët kandidatë do t’u nënshtrohen edhe provimeve. “Kjo ditë është shumë e veçantë, pasi është një rrugë e gjatë që kemi kaluar për të arritur deri këtu dhe pa dyshim është një prej hapave më të rëndësishëm për sistemin e edukimit dhe licencimit, sepse ju jeni gjenerata e parë që do ta vijoni kursin për Licencën B UEFA. Do të njiheni gjithmonë si gjenerata e parë që e ka marrë Licencën B nga FFK-ja. Shpresoj dhe uroj të jetë një kurs sa më i suksesshëm. Duke e ditur se e keni një bazë të fortë të njohurive nga kursi i Licencës C jam i bindur se do të kaloni me sukses edhe këtë kurs”, ka deklaruar Salihu.
Ligjërues i këtij kursi do të jetë edhe përfaqësuesi i UEFA-s, Dany Ryser, i cili njëherësh edhe do ta vëzhgojë punën që do të bëhet në këtë kurs.
/Epoka e re/