Filloi ndeshja Ballkani – Ludogoretsi
Ka filluar ndeshja mes Ballkanit dhe Ludogoretsit. Kampionia në fuqi e Kosovës në futboll, Ballkani po e zhvillon sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” ndeshjen e parë kualifikues për Ligën e Kampionëve ndaj skuadrës bullgare Ludogorets.
Skuadra bullgare është favorite në përballje me djelmoshat e drejtuar nga Ilir Daja, por strategu shqiptar ka bërë me dije se skuadra e tij do të bëjë të njëjtën lojë si gjithmonë dhe nuk do të parkojnë autobusin pavarësisht se kush është kundërshtar.
“Na pret një ndeshje e vështirë, por ndeshjet e vështira nganjëherë janë më të bukura për të luajtur sepse nuk ke të bësh me motivimin e lojtarëve, por vetëm me fokusimin e tyre në ato detyrat taktike. Do të bëjmë të njëjtën lojë si gjithmonë. Kemi disa mënyra për t’u përball me kundërshtarin. Ekipi ka respekt për kundërshtarin, por edhe vetën. Kemi një grup që ka eksperiencë historike në futbollin e Kosovës. Kemi po atë 11-she, përveç Ermal Krasniqit që nuk është më pjesë e jona dhe po shkëlqen atje ku ka shkuar. Siç kam thënë, nuk do të parkojmë autobusin ndaj asnjë kundërshtari që kemi përballë”, ka thënë Daja.
“Është e vështirë të flasë tani, por edhe në këtë pjesëmarrje mendojmë që të bëjmë më të mirën e mundshme. Jemi përgatitur në maksimum. Kemi bërë një fazë përgatitore gati një muaj, ekipi është në formën e duhur. Çdo lojtar e ka për detyrë të jep më shumë se potenciali i vet, të jep shpirtin në fushë kur ke një kundërshtar të fortë”, ka shtuar Daja.