Filloi ndeshja Maqedoni – Kosovë
Ka filluar ndeshja në mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, e vlefshme për plajofin e Ligës së Kombeve.
Të dyja skuadrat përfaqësuese kanë synim të fitojnë këtë ndeshje e me pas të përballen në finale me Gjeorgjinë për të siguruar kualifikimin historik në Kampionatin Evropian.
Në formacionin e Kosovës mungojnë lojtarë të rëndësishëm si Amir Rrahmani, Milot Rashica e Vedat Muriqi, por besimi është i madh se mund ta fitojnë ndeshjen.
“Para 4 vitesh ka qenë e vështirë të paramendohet se do të jemi këtu. Kur jemi pranuar në UEFA e kemi pas një ëndërr dhe e kemi ditë se çfarë kualiteti kemi. Gjatë këtyre viteve jemi rritur vazhdimisht dhe me vetëbesimin tonë kemi arritur deri këtu. Nëse do më kishin pyetur para katër viteve, normalisht që s’do ta kisha parashikuar kurrë se do të arrinin kaq afër Evropianit”, ka theksuar Atdhe Nuhiu. Ai tutje ka thënë se çdo ekipit do t’i mungonin lojtarët e tillë si Rashica, Muriqi e Rrahmani, por është shprehur i bindur se djemtë e tjerë do ta japin maksimumin dhe do të arrijnë suksesin e shumëpritur.
Ndërkaq, përzgjedhësi Challandes ka thënë se Kosova nuk është në situatën më perfekte, por e ka dëshmuar edhe në të kaluarën se di t’i përballojë edhe situatat e tilla. “Unë e kam plotësisht të qartë se me çfarë situate përballemi, por në të njëjtën kohë e shoh se kemi mundësi për të arritur diçka të madhe si ekip. Tani ka ardhur koha për të realizuar atë që duam”, ka thënë Challandes.
Formacionet:
Maqedonia e Veriut: Dimitrievski, Bejtullai, Velkoski, Musliu, Ristovski, Nikolov, Ademi, Alioski, Bardhi, Nestorovski, Pandev
Kosova: Muriq, Kololli, Aliti, Dresheviq, Vojvoda, Berisha, Shala, Zeneli, Celina, Hadërgjonaj, Nuhiu.
(Epoka e re)