Filloi procesi për regjistrimin e mjeteve nga targat ilegale serbe në RKS
Në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve ka filluar procesi i regjistrimit të mjeteve nga targat ilegale në RKS, vetura e parë është regjistruar në Prizren.
Ministria e Punëve të Brendshme njofton se sot, që në orët e mëngjesit ka filluar procesi i regjistrimit të mjeteve nga targat ilegale në targa RKS.
“Qendrat kanë qenë të hapura në të gjitha komunat për qytetarët e interesuar për të marrë informacionet e nevojshme dhe në ditën e parë në Qendrën për Regjistrimin e Automjeteve në Prizren është bërë zëvendësimi i parë i targave në targa RKS”, thuhet në komunikatën e MPB-së.
QRA-të do të jenë në dispozicion të qytetarëve çdo ditë për të ofruar informacionet dhe ofruar shërbimet për kthimin e targave në RKS.
“Me këtë rast, MPB inkurajon të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë këtë mundësi, duke përfituar dhe nga lehtësirat që ofron ky proces si: Taksën doganore, taksën administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifën për targën, tarifën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të mjeteve”, thuhet tutje në komunikatë.
MPB përmes QRA-ve është duke ju përgjigjur në vazhdimësi kërkesave të qytetarëve për informacione shtesë dhe do të vazhdojë fushatën për informim dhe në javët në vazhdim, me qëllim të informimit të drejtë dhe inkurajimit për regjistrimin e mjeteve në targa RKS deri më 31 tetor 2022.