Filloi puna për ndryshimin dhe plotësimin e statutit të Komunës së Malishevës
Pas vendimit të Kuvendit të Komunës për ndryshimin dhe plotësimin e statutit të Komunës së Malishevës, të mërkurën është mbajtur mbledhja e parë e komisionit të formuar për hartimin e draftit të statutit të ri. Mbledhja është drejtuar nga kryesuesi i KK të Malishevës, Argjend Thaçi.
Në këtë mbledhje, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi, anëtar i komisionit, në fjalën e tij, ndër të tjera tha se Komuna e Malishevës punon ende me statutin e vitit 2008.
“Prandaj zhvillimet si në ligje dhe në akte normative tjera kanë ndryshuar, ashtu edhe zbatimi ende i këtij statuti po na paraqet vështirësi në nxjerrjen e shumë vendimeve dhe kryerjen e punëve, kështu që nisma për ndryshimin dhe plotësimin e aktit më të lartë të Komunës së Malishevës do të ndihmonte shumë, jo vetëm ekzekutivin, kuvendin por edhe drejtoritë e sektorët tjerë si dhe vet qytetarët e grupet e interesit në Komunën e Malishevës”, ka thënë Krasniqi, duke kërkuar bashkërendim të punëve në vazhdim mes anëtarëve të komisionit.
Në këtë komision janë të përfshirë të gjitha subjektet politike që janë pjesë e Kuvendit të Komunës së Malishevës, ekzekutivi dhe shoqëria civile. Ky komision do të vazhdoj punën e tij, deri në hartimin e draftit të statutit dhe më të vazhdohet me konsultime-debate publike, deri në finalizim.