Filloi punimet Konferenca Ndërkombëtare e Hulumtimeve në Arsim
Instituti për Hulumtime dhe Zhvillim në Arsim në kuadër të Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës ka organizuar Konferencën Ndërkombëtare të Hulumtimeve në Arsim- KICER 2022, ku një nga temat që do të trajtohet është “Zhvillimi i qasjes së bazuar në dëshmi në edukim, në një kontekst në ndryshim”.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se kërkimi në fushën e arsimit është i nevojshëm për të pasuruar rezultatet shkencore dhe për të përmirësuar praktikat mësimore.
Ajo ka theksuar se hulumtimet në arsim udhëzojnë reformën në këtë fushë dhe kontribuojnë shumë në ndryshimin e shoqërisë, në mënyrë që të avancohet niveli i punës shkencore dhe akademike në universitet.
Nagavci bëri me dije se tashmë është hartuar Plani Strategjik për Arsimin 2022/26, ku zhvillimi i arsimit të lartë dhe shkencës është një nga prioritetet e kësaj strategjie, e që është në harmoni edhe me programin qeveritar.
“Fakulteti i Edukimit krijon kuadro për sistemin tonë shkollor dhe këtë konferencë e shohim si përpjekje serioze për të avancuar praktikat e përgatitjes së mësimdhënësve cilësorë”, ka thënë ajo.
Nagavci ka përgëzuar Universitetin e Prishtinës dhe Fakultetin e Edukimit për këtë nismë dhe uroi që kjo konferencë të prodhojë rezultate që do t’i shërbejnë vet Fakultetit dhe Ministrisë së Arsimit, si hartuese e politikave në arsim.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, ka thënë se tashmë është dëshmuar se shumë shtete pasi kanë arritur të zhvillojnë sistemin arsimor kanë zhvilluar edhe fushat e tjera, ndërsa shtoi se rëndësia e kësaj konference është në funksion të zhvillimit të arsimit.