Filloi rrënimi një pike të karburantit në Veternik
Inspektorati i Ministrisë së Infrastrukturës, të martën ka filluar rrënimin e pikës së karburantit, e cila ishte e ndërtuar në pronë publike duke u bërë kështu pengesë në zgjerimin e segmentit të parë të rrugës N25.2.
“Ky aksion për rrënim u ndërmor pas afatit të dhënë prej një muaji për rrënim vullnetar, por që nuk ka ndodhur nga kompania. Rrënimi filloi nga kompania e kontraktuar dhe nën mbikëqyrjen e inspektorëve të MI-së, por pronarët dhe menaxhmenti i kësaj kompanie janë zotuar se brenda 48 orëve do ta rrënojnë pjesën e mbetur të objektit. Ky afat shtesë i rrënimit është dhënë për shkak të specifikave të objektit dhe evitimit të ndonjë dëmi të mundshëm”, është bërë me dije në njoftimin për media të Ministrisë së Infrastrukturës.
Sipas kësaj ministrie, inspektorët do të jenë në monitorim të vazhdueshëm të punimeve për rrënim brenda afatit të dakorduar me shkrim prej 48 orëve.
/Epoka e re/