Fillojnë aktivitetet “Faleminderit Mërgatë”
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka bërë hapjen e aktiviteteve tërë ditore që i dedikohen mërgatës, në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, në shenjë falënderimi dhe mirënjohje, për kontributin e jashtëzakonshëm të tyre.
Në sheshin “Skënderbeu”, janë hapur tashmë tendat me lojëra atraktive për fëmijë, tendat e informimit, ku qytetarët mund të informohen rreth aktiviteteve që MPJD i ka dedikuar mërgatës, si platforma Shijo Kosovën, platforma Made In Kosova (MIK).
Gjithashtu tek këndet e Informimit qytetarët kanë hapësirë për tu njoftuar për shërbimet konsullore që ofrohen nga MPJD dhe misionet diplomatike nëpër botë, vizat, si dhe uljen e tarifave për shërbimet konsullore, vendim ky që ka hyrë në fuqi pak ditë më parë.
Të gjithë qytetarët nga diaspora që ende nuk janë regjistruar, mund ta kryejnë regjistrimin online, i cili për mërgatën është i hapur deri më 31 gusht të këtij viti.
Përveç pikave informuese në shesh janë hapur edhe këndë për ushqim dhe pije.
Të gjitha këto kënde do jenë të hapura gjatë tërë ditës së sotme.
Përmbyllja e këtyre aktiviteteve bëhet në mbrëmje kur edhe fillon koncerti ‘Faleminderit Mërgatë’ që nis nga ora 18:00 deri në orën 23:00 dhe hyrja do të jetë falas për të gjithë.
Këtë koncert do ta pasurojnë përformancat e artistëve të skenës sonë përfshirë: Dafina Zeqiri, Ardian Bujupi, Luiz Ejlli, Mc Kresha, Lyrical Son dhe Fisnikët.