Fillojnë aplikimet për pjesëmarrje në festivalin Bunarfest
Njëri prej festivaleve më unike në Kosovë, Bunarfest, ka shpallur të hapur thirrjen për aplikim për të interesuarit të cilët dëshirojnë të jenë pjesë e garës së lëshimit me goma në lumin Lumëbardhi të Prizrenit, në kuadër të edicionit të 15-të të festivalit Bunarfest.
Organizatorët kanë bërë të ditur tashmë se ky edicion do të mbahet në datat 8-9 qershor, ku së pari më 8 qershor (e shtunë) do të organizohet aktiviteti i pastrimit të lumit me vullnetarë dhe në mbrëmje do të organizohet koncerti muzikor me artistë të njohur nga vendi, derisa më 9 qershor (e diel) do të organizohet gara e lëshimit me goma, shtegu i së cilës fillon nga lokacioni i njohur si “Centralla” dhe përfundon në qendër të qytetit tek “Ura e Gurit”, ku është edhe finishi i garës.
Sikurse edhe në vitet e mëparshme, festivali nuk do të ketë karakter garues dhe qëllimi mbetet që në formë atraktive dhe argëtuese t’i jepet mesazhi qytetarëve për ta mbrojtur dhe mos e ndotur lumin.