Fillojnë bisedimet për zgjerimin e stadiumit ‘Fadil Vokrri’
Kanë nisur bisedimet mes Komunës së Prishtinës dhe Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) për zgjerimin e stadiumit “Fadil Vokrri” dhe shtimit të rreth shtatë mijë ulëse në disa prej tribunave të tij. Lajmi është konfirmuar nga kryetari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti.
Stadiumi Fadil Vokrri, pronë e Komunës së Prishtinës, është nikoqir i ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës dhe ka një kapacitet prej 13.500 ulëse, por shihet si tejet i ulët për kërkesat e kosovarëve për t’i parë ndeshjet e verdhekaltërve, prandaj ka kohë që kërkohet zgjerimi i tij.
Kryetari Ahmeti ka bërë me dije se stadiumi do t’i ketë 20 mijë ulëse. Zgjerimi do të ndodhë në tribunat me kapacitetin më të ulët, pra jug, veri dhe lindje.
“Komuna e Prishtinës ka filluar diskutimet me Federatën e Futbollit të Kosovës për zgjerimin e kapaciteteve në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, në tribunat lindjes, veriut dhe jugut. Gjatë javëve në vijim do të bëjmë analizat e nevojshme për të vlerësuar mundësitë që të kemi deri në 20 mijë ulëse në stadiumin e qytetit”, ka shkruar Ahmeti në profilin e vet në “Facebook”.