Fillojnë “Ditët e Nënë Terezës”
Me akademinë solemne të organizuar në ditëlindjen e Shën Nënë Terezës, u hapën ditët me aktivitete kushtuar asaj, “Ditët e Nënë Terezës”.
Në këtë ngjarje që u mbajt në Qendrën “BogdaniPolis” në Katedralen Nënë Tereza, morën pjesë përfaqësues të insitucioneve të Kosovës, ministra, deputetë, përfaqësues të Ipeshkvisë së Kosovës dhe qytetarë.
Në fjalën e tij, Ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, tha se Nënë Tereza nuk është fizikisht në mesin tonë por veprat e saj duhet ti kujtojmë secili, t’i ngjajmë asaj në përpikëri, në dashuri, sakrificë dhe në punë.
Ngjarja vazhdoi me një program të pasur artistik. Të pranishmit patën rastin të dëgjojnë Valsin Hyjnor – Himni i Shën Nënë Terezës, të kompozuar nga Lorenc Antoni dhe Genc Tukiqi, të interpertuar nga sopranoja Arta Jashari, e shoqëruar në piano nga Pranvera Hoxha. Po ashtu performancën me kitarë nga Genc Krasniqi.
Në kuadër të “Ditëve të Nënë Terezës” do të mbahen aktivitete të shumta edukuese, kulturore, ekspozita dhe homazhe, që do të mbarojnë më 5 shtator me koncertin e Filarmonisë së Kosovës.