Fillojnë dorëheqjet e zyrtarëve nga Ministria e Punëve të Jashtme!
Artan Behrami, ka dhënë dorëheqje nga shefi i zyrës për media në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, raporton Gazeta Blic.
Në letrën e dorëheqjes së Behramit, dërguar ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e akuzon këtë të fundit për keqpërdorim të detyrës së saj zyrtare.
Behrami thotë se po jep dorëheqje nga Ministria e Punëve të Jashtme, për shkak që Gërvalla është duke e mbështetur procesin e Gjykatës Speciale, e cila Kosovën e vendos në një pozicion shumë të vështirë përballë një Serbia, e cila tash e dy dekada mohon të gjitha krimet në Kosovë.
“Me pasivitetin tuaj, ju jeni duke mbështetur procesin e Gjykatës Speciale, e cila Kosovën e vendos në një pozicion shumë të vështirë përballë një Serbia, e cila tash e dy dekada mohon të gjitha krimet në Kosovë. Me këto rrethana qëndrimi im në Ministri bëhet i pamundur”, thuhet ndër të tjera në letrën e dorëheqjes së Artan Behramit.
“Ju si ministre dhe si Qeveri, nuk keni bërë asnjë hap për të mbështetur krerët e UÇK-së, rrjedhimisht narracionin për luftën e pastër dhe çirimtare”, thotë Behramaj në letrën e tij.
Në media është raportuar se në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme, pritet të japin dorëheqje 49 zyrtarë.
Letra e plotë e Artan Behramit nga MPJD:
E nderuar znj. Gërvalla,
I nderuar u.d. Sekretar,
Përmes kësaj shkrese, jap dorëheqje të parevokueshme nga pozita ime “Udhëheqës i Divizionit për Media”, me funksion të përkohshëm “Zyrtar i Lartë për Diplomaci Ekonomike”, si dhe nga Shërbimi i Jashtëm i Republikës së Kosovës.
Që nga viti 2011 kam qenë pjesë e Ministrisë së Punëve të Jashtme, fillimisht në kabinet si këshilltar Politik dhe si zëdhënës, më pas përmes një konkursi legjitim jam zgjedhur Drejtor i Departamentit për Media. Për disa muaj kam shërbyer edhe si Këshilltar në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Uashington.
Jam shumë krenar që në këtë periudhë kam qenë pjesë e shumë sukseseve diplomatike të Republikës së Kosovës, pjesë e forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë.
Jam krenar që i kam shërbyer vendit tim në një periudhë historike të shtetndërtimit, të shtrirjes diplomatike, të forcimit tonë të jashtëm dhe të hapjes me botën demokratike.
Jam krenar me punën që kemi bërë bashkë me kolegët tjerë në fushën e diplomacisë digjitale, kulturore dhe sportive, duke promovuar potencialin e Kosovës në botë.
Jam krenar me punën e jashtëzakonshme që kemi bërë në promovimin e Kosovës në media ndërkombëtare, duke ngritur imazhin e Kosovës në botë.
Jam krenar që me gjithë dijen time e kapacitetin tim jam përkushtuar 15 orë në ditë për një kauzë nacionale dhe kombëtare – forcimin e shtetit të Kosovës.
Sot, me këtë dorëheqje, nuk po heq dorë nga kjo betejë, të cilën do ta vazhdoj jashtë institucioneve të Kosovës.
Sot po heq dorë nga MPJ, e cila në baza ditore po shkatërrohet, duke përdhosur mundin e shumë diplomatëve, shumë zyrtarëve dhe shumë miqve ndërkombëtarë!
Para syve tanë, të gjitha parimet mbi të cilat ishte ndërtuar politika e Jashtme e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, i keni kthyer kokëposhtë!
Ju dështuat të ndërtoni vizionin mbi të arriturat 13-vjeçare në politikën e Jashtme, që ishin suksese edhe të partnerëve strategjikë të Kosovës, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ju po dështoni në politikën e Jashtme, në mungesë të përvojës, të vizionit në diplomaci dhe të aftësisë për të lexuar momentumet gjeopolitike.
Në vend të tyre, ju krijuat rregulla paralele, të padëgjuara në politikën e Jashtme të Kosovës, duke e përdorur diplomacinë jo si mekanizëm i përfaqësimit të interesave të qytetarëve në botë, por për shërimin e paranojave dhe luftimin e armiqve personalë.
Jeni duke u sillur si një CEO e fabrikës së këpucëve, duke u marrë me ҫështje sindikale në një përiudhë kur Kosova ka nevojë për një diplomaci proaktive.
Ju keni hequr dorë nga procesi i shtimit të njohjes së pavarësisë së Kosovës, të anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare dhe në forcimin e pozitës së Kosovës në botë.
Gjatë këtyre ditëve keni manifestuar vetëm frikën, urrejtjen dhe inatet personale që i keni me oponentët politikë!
Rrënuat traditën e një koordinimi të përminutshëm me SHBA-në, bashkë me të edhe fuqinë diplomatike që Kosova e kishte krijuar si një shtet me 1.8 milionë banorë.
Pa asnjë analizë ose vlerësim profesional, ti i ktheve Ambasadorët e Kosovës, duke krijuar boshllëk diplomatik në një periudhë shumë të ndjeshme për Republikën e Kosovës.
Në një përiudhë kur Kosova po kërcënohet nga Rusia, Kina dhe Serbia ju jeni duke larguar nga Shërbimi Diplomatik i Kosovës diplomatët që kanë fituar të gjitha betejat me Serbinë.
Përmes një procesi të paprecedent, jeni duke defunksionalizuar MPJ-në, Shërbimin e Jashtëm dhe Diplomacinë e Kosovës në një kohë kur ne duhet të ishim të bashkuar në fushëbeteja të mëdha diplomatike kundër Serbisë.
Me këtë pavetëdije jeni duke mbështetur politikën e Jashtme të Serbisë, e cila synim ka dobësimin e diplomacisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Ju, si ministre dhe si Qeveri, nuk keni bërë asnjë hap për të mbështetur krerët e UÇK-së, rrjedhimisht narracionin për luftën e pastër dhe ҫlirimtare.
Përkundrazi, keni penguar në vazhdimësi famljarët e liderëve kryesorë politikë që kanë bartur barrën e luftës, të lirisë dhe të pavarësisë.
Ma pasivitetin tuaj, ju jeni duke mbështetur procesin e Gjykatës Speciale, e cila Kosovën e vendos në një pozicion shumë të vështirë përballë një Serbie, e cila tash e dy dekada i mohon të gjitha krimet në Kosovë.
Në këto rrethana qëndrimi im në Ministri bëhet i pamundur.
Me respekt,
Artan Behrami