Fillojnë parapërgatitjet për fushatën e korrje-shirjeve
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) ka filluar me parapërgatitjet e fushatës së korrje-shirjeve për vitin 2018.
“Me qëllim të koordinimit sa më të mirë të punëve, MBPZhR më 18 qershor ka mbajtur takimin e përbashkët me përfaqësues të Drejtorive Komunale për Bujqësi, përfaqësuesve të Shoqatës së Prodhuesve të Grurit dhe përfaqësuesve të Shoqatës së Mullisëve. Bazuar në statistikat e grumbulluara nga terreni, konstatohet se gjendja e sipërfaqeve të mbjella me drithëra të bardha e në veçanti me grurë është e kënaqshme dhe nga 74,313 ha sipërfaqe, pritet rendiment mesatar rreth 4000 kg/ha”, është bërë me dije në njoftimin e Ministrisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Sipas këtij njoftimi, procesi i korrje-shirjeve pritet të fillojë në ditët e fundit të muajit qershor ose në fillim të muajit korrik, varësisht prej kushteve klimatike që do të mbizotërojnë ditëve në vijim.
“Në gjithë territorin e vendit me drithëra të bardha këtë vit janë mbjellë dhe pritet të korren 83,155 ha tokë bujqësore, ndërsa numri i autokombajnave të cilat janë në dispozicion dhe pritet që të angazhohen në fushatën e korrje shirjeve është 1400”, është thënë në njoftimin e MBPZhR-së.
/Epoka e re/