Fillojnë procedurat për ndërtimin e QMF-së në Stan Tërg

15 qershor 2022 | 16:28

Nënkryetari i komunës, Arian Tahiri, së bashku me drejtorin e Drejtorisë për Shëndetësi, Fahri Shabani, sot kanë vizituar vendin ku po bëhet përgatitja e terrenit për ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në fshatin Stan Tërg.

Pjesë e kësaj vizite ishin edhe drejtori i Drejtorisë për Planifikim dhe Urbanizëm, Edison Tërnava, dhe drejtori i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Artan Berisha.

Ky objekt i ri i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Stan Tërg do të ndërtohet me mjetet e buxhetit komunal për shëndetësi dhe Komuna e Mitrovicës tashmë ka filluar me procedurat për ndërtimin e këtij objekti.

Nënkryetari, Arian Tahiri ka potencuar se Qendra e re e Mjekësisë Familjare do të jetë një qendër mjekësore bashkëkohore, e cila do të ofrojë kushte shumë më të mira për punë për profesionistët shëndetësore që do të punojnë në këtë qendër, por edhe për komunitetin që do të marrin shërbime shëndetësore më cilësore.

Ndërkaq, drejtori për Shëndetësi, Fahri Shabani, tha se ndërtimi i kësaj qendre të re ka qenë jashtëzakonisht i nevojshëm, pasi që objekti aktual ku funksionon Qendra e Mjekësisë Familjare është dëmtuar rëndë nga rrëshqitjet e dheut përgjatë viteve të fundit dhe si e tillë nuk i plotëson as kushtet minimale për ofrimin e shërbimeve shëndetësore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në emision “NBC Today” në mëngjesin e sotëm u transmetua…