
Fillojnë punën 88 noterë të rinj në Kosovë – në mesin e tyre edhe noterja Anduena Gashi-Shehu
Më 7 prill 2025, 88 noterë të rinj kanë filluar zyrtarisht ushtrimin e detyrës së tyre në territorin e Republikës së Kosovës, pas përfundimit me sukses të trajnimit gjashtëmujor dhe certifikimit nga Ministria e Drejtësisë. Ky zhvillim, paraqet një hap të rëndësishëm në drejtim të rritjes së efikasitetit dhe përmirësimit të qasjes në shërbimet juridike për qytetarët.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një postimi në Facebook, bëri të ditur se ka nënshkruar vendimet për fillimin e ushtrimit të funksionit noterial për këtë grup të ri profesionistësh ligjorë.
Ajo, falënderoi Odën e Noterëve të Kosovës dhe trajnerët e përfshirë në këtë proces për bashkëpunimin e ngushtë dhe uroi të gjithë noterët për punë të mbarë, duke theksuar nevojën për përmbushjen e detyrave në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Gjatë ditës, patëm mundësinë të vizitojmë Zyrën e re të Noterisë të noteres Anduena Gashi Shehu, e cila ndodhet në Rrugën e Stacionit të Autobusëve, Jusuf Gërvalla, ngjitur me qendrën tregtare “Dardha”. Ku pamë nga afër ambientet e ngrohta të punës, zyra e saj ofron një ambient modern dhe profesional, të pajisur me infrastrukturë bashkëkohore dhe staf të trajnuar, duke reflektuar përkushtimin ndaj cilësisë dhe shërbimit korrekt ndaj qytetarëve.
Sipas Odës së Noterëve të Kosovës, shërbimet noteriale që ofrohen përfshijnë një gamë të gjerë fushash:
1. Çështje familjare: Përpilimi dhe vërtetimi i testamenteve, hapja e tyre, si dhe vërtetimi i gjendjes së gjallë të personave.
2. Çështje pronësore: Kontrata për transferim pasurie, hipotekat, qiratë, këmbimet dhe heqja dorë nga bashkëpronësia.
3. Çështje ekonomike dhe të punës: Akte për shoqëritë tregtare, kontrata pune, autorizime për pensione dhe dokumente të tjera.
4. Legalizime dhe certifikata: Verifikimi i nënshkrimeve dhe dokumenteve, si dhe vërtetimi i kontratave të ndryshme.
5. Ruajtja dhe depozitimi i sendeve dhe dokumenteve: Depozitimi i testamenteve, stolive apo sendeve me vlerë.
Kjo shtesë në trupin e noterëve aktivë pritet të sjellë përfitime të dukshme për qytetarët, duke e bërë më të lehtë dhe më të shpejtë qasjen në dokumentacionin ligjor dhe duke kontribuar në ndërtimin e një sistemi më të besueshëm dhe transparent juridik në Kosovë.
Notere Anduena Gashi Shehu, me përgatitjen dhe angazhimin e saj profesional, pritet të jetë një ndër figurat e rëndësishme në radhët e noterëve të rinj, duke u ofruar qytetarëve jo vetëm shërbim të shpejtë dhe të saktë, por edhe besim dhe siguri ligjore.