Fillojnë të bien vlerat e manganit në ujë, por uji ende i papijshëm

10 nëntor 2023 | 12:28

Në liqenin e Badocit ka filluar të ketë rënie të vlerave të manganit në ujë, por qytetarët ende nuk mund ta përdorin për pije, kështu kanë konfirmuar Kompania Rajonale Ujësjellësi “Prishtina” dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë.

Arjeta Mjeku, zëdhënëse e KRU “Prishtina” tha për “Telegraf”-in se janë duke përcjell gjendjen dhe se shpresojnë që gjendja të përmirësohet.

“Ne si KRU ‘Prishtina’ jemi duke bërë përpjekje maksimale për t’i furnizuar qytetaret me ujë të pijshëm përmes autoboteve në zonat e prekura. Jemi në koordinim të plotë me IKSHPK-në. Shpresojmë që situata të përmirësohet shumë shpejt dhe jemi në trend të rënies së vlerave te manganit, por jemi duke e përcjellë situatën në vazhdimësi. Gjendja nuk është alarmante”, ka thënë ajo.

Mjeku tha se me rekomandim të IKSHPK-së po përcjellin vlerat e manganit, po mirëmbajnë fazat e trajtimit, kanë shtuar kujdesin në procesin e trajtimit sipas procedurave standarde operative, kujdes të shtuar në procesin e dezinfektimit, shpëlarja e rrjetit të shpërndarës të gypave magjistral dhe segmenteve të vogla, dhe qytetarëve në zonat në përcjellje të vazhdueshme t’u sigurohet uji higjienik.

Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar popullatën se është duke vazhduar monitorimi dhe përcjellja në vazhdimësi e cilësisë së ujit në Liqenin akumulues të Badocit, të destinuar për pije.

“Analizat e fundit laboratorike tregojnë për rënie të vlerave referente të manganit në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndarës, por që, ende nuk janë arritur vlerat sipas standardeve të parapara në Udhëzimin administrativ nr. 10/2021 -Cilësia e Ujit për konsum nga njeriu”, ka njoftuar IKSHPK-ja.

Ekipet e IKSHPK-së janë në terren 24/7 dhe po bëhen çdo ditë analiza fiziko-kimike të ujit të prodhuar në Fabrikën që furnizohet nga Liqeni akumulues i Badocit dhe qytetarët do të njoftohen me kohë për normalizimin e parametrave referent të ujit të pijshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Republika e Kosovës sipas Raportit të Progresit të Komisionit Evropian…