Fillojnë trajnimet në instalime solare në Qendrat e Aftësimit Profesional
Sot në Qendrën e Aftësimit Profesional në Ferizaj u shënua fillimi i trajnimeve në instalime solare në pesë Qendra të Aftësimit Profesional (QAP) në vend, përkatësisht në QAP Ferizaj, Prishtinë, Gjakovë, Mitrovicë dhe Prizren.
Me këtë rast, Ministri i Financave, Hekuran Murati u shpreh se “trajnimet në instalimin e paneleve solare paraqesin një hap të rëndësishëm për ministrinë, ngase hapin dyert për punësime të reja në një industri jo shumë të njohur, por më mjaft potencial në vendin tonë.
Sipas tij, analizat e tregut dëshmojnë nevojën për rreth 10 mijë vende të reja pune profesionale për të garantuar tranzicionin energjetik në vend, që dëshmon edhe më tej rëndësinë e këtyre trajnimeve.
Në anën e tij, Queirós, shefi i Zyres së UNDP-së në Kosovë, të cilët edhe e kanë përkrahur këtë projekt, u shpreh se “përmes trajnimit në panele solare, synojnë krijimin e një mekanizmi që pajis fuqinë punëtore me aftësitë e nevojshme për të përmbushur kërkesat e tregut”.
Së fundi, Drejtoresha e Agjencisë së Punësimit, znj. Namani Rexha theksoi nevojën për kërkime të vazhdueshme dhe ngritjen e aftësive të fuqisë punëtore në linjë me nevojat e tregut të punës, veçanërisht në sektorët si energjia diellore.
Në fund të ceremonisë, Queirós dhe Namani Rexha nënshkruan marrëveshjen e dorëzimit të pajisjeve që do të përdoren për trajnimin e ardhshëm të instalimit të paneleve diellore në pesë QAP-të pjesëmarrëse.