Fillon Akademia e Gazetarëve për integritetin e informacionit

29 nëntor 2021 | 15:27

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), me mbështetjen e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) dhe USAID në Kosovë, ka mbajtur të hënën modulin e parë të Akademisë së Gazetarëve për Integritetin e Informacionit.

Në hapjen e kësaj akademie, studentëve të gazetarisë dhe gazetarëve të medieve qendrore e lokale, iu adresuan kryetar i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, ambasadorja Nancy Soderberg, drejtoresh e lartë rezidente e NDI-së në Kosovë dhe James Evans Butler, zëvendësdrejtor i zyrës për Qeverisje dhe Demokraci në USAID Kosovë.

Rexha, në emër të AGK-së, ka falënderuar NDI-në dhe USAID-in si partnerë shumë të rëndësishëm të organizatës për mundësimin e akademisë, duke shpresuar që përmes këtyre moduleve do të shkëmbehen praktikat më të mira për integritetin e informacionit.

“Në këtë kohë posaçërisht sfiduese për integritetin e informacionit, besoj se do të jeni në gjendje të mësoni praktikat më të mira për verifikimin e informacionit. Ju nxis që mësimet nga akademia t’i ndani edhe me kolegët në redaksitë tuaja dhe që kjo të shërbejë edhe për edukimin e publikut”, ka thënë Rexha.

Ambasadorja Soderberg ka theksuar rëndësinë e medieve të pavarura dhe të lira për funksionimin e mirëfilltë të demokracisë. “Që të parandalojmë dhe luftojmë në mënyrë efektive kampanjat dezinformuese është e rëndësishme që të promovohet gazetaria profesionale, si dhe të pajisen gazetarët me njohuritë dhe praktikat më të mira për luftimin e dezinformimit”, ka theksuar ajo.

Teksa, James Evans Butler nga USAID-i, vuri në dukje nevojën për ngritjen e kapaciteteve verifikuese, forcimin e integritetit të zgjedhjeve dhe portretizimin e duhur të grave në media. “Edukimi dhe trajnimi i gazetarëve të së nesërmes është qenësor për ruajtjen e integritetit të informacionit”, ka pohuar ai.

Akademia e Gazetarëve për Integritetin e Informacionit do të vazhdojë edhe me pesë module të tjera.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë (MSh) ka njoftuar se gjatë 24 orëve…