Fillon asfaltimi i rrugës “Ali Zeneli” në Mitrovicë
Në vazhdën e realizimit të projekteve të ndryshme kapitale në fushën e infrastrukturës, ka filluar edhe procesi i asfaltimit të një pjese në rrugën “Ali Zeneli” në qytetin e Mitrovicës.
Për të inspektuar fillimin e punimeve morën pjesë kryetari i komunës, Bedri Hamza, së bashku me drejtorin e Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, Granit Tmava.
Me këtë rast, kryetari i komunës, Bedri Hamza, ka thënë se me vite të tëra, me mijëra mitrovicas kanë jetuar në rrugën “Ali Zeneli”, pa infrastrukturën e nevojshme për jetë të dinjitetshme dhe se këtë gjendje rrënjësisht janë duke e ndryshuar.
“Sot i inspektova punimet që po shkojnë drejt fundit dhe jam i bindur që kjo lagje do të bëhet prej ambienteve më moderne, më të rregullta dhe me hapësira gjelbëruese të integruara në peizazhin urban të Mitrovicës”, është shprehur Hamza.
Më tutje kryetari Hamza, theksoi se me punë e përkushtim, por edhe me durimin dhe mirëkuptimin e treguar nga ana e banorëve, kanë arritur t’i tejkalojnë pengesat dhe së shpejti kjo rrugë do të vihet në shërbim të plotë të qytetarëve.
“Kjo rrugë dhe shumë projekte që janë duke u realizuar, Mitrovicën e bëjnë qytet më modern, me mjedise shumë më të mira për qytetarët e saj”, ka thënë ndër tjerash kryetari Hamza.