Fillon asfaltimi në rrugën “Avdurrahim Shehu” në Kaçanik
Në një terren të ashpër, pas përgatitjes së rrugës me të gjitha kushtet e nevojshme, ka filluar asfaltimi në rrugën “Avdurrahim Shehu” në Kaçanik, një projekt madhor që është ndarë në dy faza.
Nga afër asfaltimin e përcolli kryetari i komunës, Besim Ilazi, së bashku me bashkëpunëtorë, duke e konsideruar këtë projekt si një të arritur të rëndësishme për infrastrukturën rrugore në Kaçanik, në një segment aq të rëndësishëm rrugor në këtë pjesë.
Ilazi ka thënë se për shkak të terrenit të vështirë, paraprakisht janë realizuar shumë punime si vendosja e mureve mbrojtëse, rregullimi dhe përshtatja e rrugës për asfaltim etj.
Vitin e kaluar ka përfunduar faza e parë e punimeve, ndërsa këtë vit nga fondi i ndarë nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal dhe Komuna e Kaçanikut, në këtë rrugë është përfshirë zgjerimi, rregullimi i kanalizimit atmosferik dhe fekal, ujësjellësi, trotuari dhe muret mbrojtëse, ku përfshinë gjatësinë e rrugës 1 440 metra.
Komuna e Kaçanikut është radhitur në mesin e top pesë komunave të Kosovës për performancën më të mirë komunale, ku edhe është shpërblyer me shumën afër 170 mijë euro.
Ky projekt është bashkëfinancim i MAPL-së dhe Komunës së Kaçanikut.
(Q.R / Epoka e re)