Fillon cikli i trajnimeve për stafin administrativ në UP
24 prill 2024
| 16:49
Universiteti i Prishtinës ka filluar ciklin e trajnimeve për stafin administrativ, përmes të cilave synohet ngritja e kapaciteteve dhe fuqizimi i shkathtësive të profesionistëve administrativë.
Trajnimi i parë është mbajtur nën udhëheqjen e prof. Liridona Jemini-Gashit me tematikën “Stilet e lidershipit”, ku përmes prezantimit dhe sesioneve interaktive, pjesëmarrësit u informuan mbi stilet e lidershipit, kulturën organizative si dhe mbi mënyrat për të kontribuar në mënyrë efektive në misionin dhe qëllimet e universitetit.
Trajnimet e tilla shërbejnë si katalizatorë për ndryshime pozitive brenda komunitetit tonë universitar. Duke investuar në stafin tonë administrativ, UP-ja investon në suksesin dhe prosperitetin e ardhshëm të universitetit.