Fillon dëshminë Naim Maloku në gjykimin ndaj liderëve të UÇK-së

24 mars 2025 | 13:34

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 124-të i Prokurorisë, Naim Maloku në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Pyetjet për këtë dëshmitar i ka filluar prokurori James Pace, i cili ka thënë e dëshmitari do të flasë lidhur me rolin që ka pasur ai në UÇK, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Dëshmitari W04403 është shqiptar i Kosovës që ka pasur role të ndryshme në UÇK në vendndodhje të ndryshme duke përfshirë edhe Dukagjinin. Dëshmitari W04403 ka qenë anëtar i Drejtorisë Operative të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. W04403 do të japë dëshmi lidhur me rolin dhe përgjegjësitë që ka pasur ai në UÇK, takimet që ka marrë ai në ’98-ën dhe ’99-n, strukturën dhe organizimin e njësiteve të UÇK-së dhe kontaktin që ka pasur me anëtarët e UÇK-së”, ka thënë Pace.

Ndryshe, sipas kryetarit të trupit gjykues Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth dy ditë. Nga kjo kohë, ZPS-ja ka parashtruar se i duhen katër orë ndërsa ekipet e mbrojtjes të gjitha së bashku kanë parashtruar se iu duhen rreth dhjetë orë për kundërpyetje.

Në prova materiale janë pranuar të gjitha deklaratat e dëshmitarit të dhëna për ZPS-në së bashku me materialet përcjellëse pasi nuk kishte kundërshtime nga ana e mbrojtjes.

Ndryshe, ZPS-ja ka njoftuar se këtë javë pritet të vijë edhe një dëshmitar tjetër, e po ashtu për të martën e javës së ardhshme është planifikuar një dëshmitar.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka përkujtuar të rënët në…