Fillon faza e dytë e rehabilitimit të lumit Llukac në Gjakovë
Të hënën ka filluar faza e dytë e rehabilitimit të lumit Llukac dhe ndërtimi i shëtitores përreth tij. Një projekt i gjatë 640 metra në vlerë prej 387 mijë euro.
“Rehabilitimi i lumit Llukac dhe ndërtimi i shëtitores përrreth tij, do të jetë një projekt tjetër fantastik në qytetin e Gjakovës i cili do të marrë formën e tij brenda këtij viti”, ka thënë kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.
Ai ka theksuar se ata që e kanë parë projektin e lumit Krena, e dinë se pas një pune të madhe, vjen diçka e jashtëzakonshme.
“Ideja e këtij investimi është lidhja e lumit Llukac me lumenjtë Krena dhe Erenik si dhe rrugën ‘Bujar Roka’. Një projekt madhështor si ky, do t’i dhurojë hijeshi Gjakovës dhe padyshim qytetarët tanë dhe të gjithë ata që vizitojnë komunën tonë, do të kenë edhe një vend rekreativ për të kaluar një kohë kualitative. Këtë vit finalizohen faza e parë dhe e dytë e këtij projekti, konkretisht nga dalja për Prizren deri tek hapësira prapa Sallës Sportive ‘Shani Nushi’”, ka thënë Gjini.
Ai ka bërë me dije se faza e parë është në kuadër të Programit Ndërkufitar IPA II Shqipëri dhe Kosovë me partneritet në mes të komunës së Gjakovës, Bashkisë së Kukësit, OJQ-së “SHE ERA” dhe OJQ-së “ACER”. Ndërsa kjo fazë është investim i komunës së Gjakovës.