Fillon faza e gjashtë e dezinsektimit hapësinor në komunën e Prishtinës
Nga sot fillon faza e gjashtë e dezinsektimit hapësinor në Komunën e Prishtinës.
Sipas një njoftimi të Komunës së Prishtinës kjo ditë është zgjedhur pas të gjitha përgatitjeve teknike dhe operative nga ana e komunës dhe kompanisë pasi që parashikimet klimatike sigurojnë një javë me mot stabil dhe pa reshje.
“Reshjet gjatë procesit të dezinsektimit e bëjnë të paefektshëm aksionin. Duke u bazuar në këto të dhëna, sivjet do të dezinsektohet një sipërfaqe e përgjithshme prej mbi 6 000 hektarë, duke përfshirë edhe zona rurale ku ka potencial të lartë të zhvillimit të këtyre insekteve. Edhe këtë vit do të përdoren preparatet e sigurta të regjistruara për përdorim në vendet e Bashkimit Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, është bërë me dije në njoftimin e Komunës së Prishtinës.
Dezinsektimi do të bëhet çdo ditë duke filluar nga ora 19:30 deri në orën 23:30.
“Bashkëpunimi i qytetarëve në këtë proces është i një rëndësie të veçantë për suksesin e këtij procesi. Andaj luten të gjithë qytetarët për bashkëpunim në mënyrë që ky aktivitet të jetë sa më i suksesshëm. Gjatë kohës së dezinsektimit, qytetarët duhet t’i mbajnë dritaret e mbyllura, që mos të futen insektet brenda dhe të kufizojnë daljet nëpër hapësirat ku është duke u kryer dezinsektimi së paku për një orë. Gjithashtu apelohet te shoqatat e bletarëve, për kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe”, është theksuar në njoftimin e Komunës së Prishtinës.
/Epoka e re/