Fillon faza pilotuese e teksteve të reja shkollore
Komuna e Prizrenit ka njoftuar se gjatë fundjavës ka filluar faza pilotuese e teksteve të reja shkollore, e cila është duke u realizuar në bashkëpunim në mes të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe drejtorive komunale të arsimit në nivel të Kosovës.
Takimi konsultues i drejtorive komunale të arsimit nga Komunat e Prizrenit, Suharekës, Dragashit dhe Mamushës është mbajtur në Prizren, përkatësisht në shkollën fillore “Abdyl Frashëri”, ku të pranishëm ishin edhe anëtarët e Këshillit të Ekspertëve të Programeve të Teksteve Shkollore (KEPShT), për pilotimin e teksteve të reja shkollore për klasat nga 0 deri në 11.
Në takim kanë marrë pjesë edhe drejtorët dhe koordinatorët e cilësisë së shkollave pilote të këtyre katër komunave.
Të gjitha tekstet shkollore të klasave të lartshënuara do të jenë në pilotim gjatë vitit shkollor 2019/2020, ndërsa vetëm ato tekste shkollore të cilat e kalojnë fazën e pilotimit do të vazhdojnë të jenë në përdorim nga mësimdhënësit dhe nxënësit në vitin shkollor 2020/2021.
/Epoka e re/