Fillon fushata sensiblizuese “Ma thuaj me kohë”
Instituti i Mjekësisë Ligjore, në partneritet me Policinë e Kosovës dhe mbështetur financiarisht nga EULEX-i, kanë filluar një fushatë sensibilizuese të quajtur “Ma thuaj me kohë”.
Kjo fushatë ka filluar me diskutim në mes të palëve përkatëse rreth rëndësisë së ruajtjes të provave biologjike në rastet e dhunës seksuale.
Meqë statistikat e Institutit të Mjekësisë Ligjore tregojnë se shumica e viktimave të dhunës seksuale janë të moshës 11 deri 16-vjeçare, kjo fushatë ka për qëllim ngritjen e vetëdijes në mesin e fëmijëve të shkollave rreth rëndësisë së ruajtjes së provave biologjike në rastet e dhunës seksuale, si dhe për të dhënë informata rreth mënyrave të ruajtjes së provave të tilla që do të shërbejnë për sjelljen e kryerësve të veprave para drejtësisë.
“Ky është kontributi ynë për t’i ndihmuar viktimat që ta arrijnë drejtësinë dhe ta thyejmë heshtjen që i rrethon ata që kanë diçka për të thënë dhe ata që duhet të dëgjojnë”, ka thënë dr. Bergita Curri, specialiste e mjekësisë ligjore në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Kurse Arsim Gërxhaliu, drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Mjekësisë Ligjore, ka thënë se ky institut mbetet i përkushtuar që të ofrojë shërbime sa më cilësore për viktimat e dhunës seksuale dhe ka shtuar: “Kjo fushatë sensibilizuese është një përpjekje, përtej detyrës zyrtare, për t’i ndihmuar ata/ato. Po ashtu, përmes këtij projekti duam ta nxisim diskutimin ndërinstitucional me qëllim të përmirësimit të trajtimit të këtyre rasteve në të gjitha hallkat”, ka deklaruar ai.
Fushata “Ma thuaj me kohë” parasheh organizimin e një sërë ligjëratash edukative për 32 shkolla fillore dhe të mesme nëpër Kosovë. Ligjëratat tanimë kanë filluar në Prishtinë dhe Fushë-Kosovë dhe po mbahen nga specialistë të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe nga përfaqësues të Policisë së Kosovës.
Ligjëruesit do të ndihmojnë në ngritjen e vetëdijes së nxënësve të shkollave në lidhje me situatat e mundshme që i ekspozojnë kategoritë e ndjeshme në rrezikun e të qenit viktimë e dhunës seksuale dhe në lidhje me rëndësinë e ruajtjes së provave biologjike në rastet e dhunës seksuale.
Fushata “Ma thuaj me kohë” do të zgjasë deri në mes të vitit 2020.
/Epoka e re/