Fillon gjykimi ndaj anëtarit të bandës “Beatles” të ISIS-it

29 mars 2022 | 08:07

Në Shtetet e Bashkuara sot nisi gjykimi ndaj një anëtari të grupit militant, Shteti Islamik, që ka ekzekutuar pengje amerikane në Irak dhe Siri, i njohur me emrin “The Beatles”.

Kjo bandë mori këtë emër për shkak të theksit britanik të anëtarëve të saj.

El Shafee el-Sheikh, 33 vjeç, do të dalë para gjykatës federale në Aleksandria të Virxhinias, i dyshuar për marrje pengjesh dhe komplot për vrasje.

El-Sheikh ishte një prej katër anëtarëve të IS-it që i përkiste kësaj qelize të këtij grupi militant. Ky grup personash morën vëmendjen ndërkombëtare pas publikimit të videove të vrasjeve të gazetarëve amerikanë, James Foley dhe Steven Sotloff si dhe punëtorëve të ndihmës, Kayla Mueller dhe Peter Kassig.

Dy prej anëtarëve të këtij grupi, El-Sheikh dhe Alexanda Kotey ishin mbajtur në një bazë ushtarake amerikane në Irak, para se të dërgoheshin në SHBA për t’u përballur me drejtësinë.

Mohammed Emwazi, një shtetas britanik që ka mbikëqyrur ekzekutimet, vdiq më 2015 në një sulm me dron. Ndërkaq, anëtari i katërt i grupit, Aine Lesley Davis është dënuar në Turqi nën akuza për terrorizëm.

Në shtator të vitit 2021, Alexanda Kotey, u deklarua fajtor për vrasjet e Foley, Sotloff, Mueller dhe Kassig. Dënimi ndaj tij do të shpallet muajin e ardhshëm.

Kotey është shtetas i Mbretërisë së Bashkuar, por Qeveria britanike ia ka hequr shtetësinë.

Akuzat që rëndojnë nga El-Sheikh, shtetas britanik, mund të ndëshkohen me dënim me vdekje, por prokurorët amerikanë u kanë thënë zyrtarëve britanikë se ata nuk do të kërkojnë që Elsheikh dhe Kotey të dënohen me vdekje.

Avokatët e El-Sheikh kanë thënë se vrasjet janë planifikuar dhe krer nga kryetari i dyshuar i bandës “Beatles”, Mohammed Emwazi, i njohur si “Xhihadi John” me urdhër të udhëheqjes së IS-it.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se moti me diell…