Fillon hapja e rrugës Ngucat-Javor
Komuna e Malishevës ka njoftuar se ka filluar hapja e rrugës që lidh fshatin Ngucat të kësaj komune me fshatin Javor të Komunës së Suharekës.
Rruga është e gjatë 1 mijë e 680 metra.
Nga afër punimet në këtë rrugë i ka përcjellë nënkryetari i Malishevës, Hajdin Berisha, dhe shefi i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Fadil Shala. Berisha ka thënë se rregullimi i kësaj rruge ka qenë kërkesë e kamotshme e banorëve të Ngucatit dhe Javorit.
“Kjo rrugë ka qenë kërkesë e vazhdueshme e banorëve të dy fshatrave, sepse ka rëndësi të madhe për ta, dhe falë bashkëpunimit të mirë në mes të dy komunave dhe Ministrisë së Infrastrukturës, është mundësuar hapja dhe rregullimi i tërësishëm i kësaj rruge, dhe përveç lidhjes në mes të dy fshatrave, krijohet edhe një lidhje e re rrugore në mes të dy komunave, në pjesën e fshatrave që shtrihen në vargmalet e Berishës”, ka thënë Berisha.
Ky projekt që lidhë dy fshatrat e thella malore është mundësuar nga Ministria e Infrastrukturës.
/Epoka e re/