Fillon java e shëndetësisë Kosovë-Turqi
Në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës ka filluar Java e Shëndetësisë Kosovë-Turqi 2019, e cila organizohet për të gjashtin vjet me radhë.
Në kudër të kësaj jave, 26 profesionistë shëndetësorë nga Turqia, në bashkëpunim edhe me mjekët nga QKUK, do të kryejnë operacione të ndërlikuara dhe do të mbajnë ligjërata në kuadër të edukimit profesional të stafit në klinika të ndryshme.
Hapjen e bëri dr. Naim Bardiqi, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, i cili tha se organizimi i Javës së Shëndetësisë Kosovë-Turqi 2019, bëhet në kuadër të marrëveshjes së përgjithshme që kanë Republika e Kosovës dhe Republika e Turqisë për mbështetje të shëndetësisë kosovare.
Sekretari Bardiqi theksoi se tashmë është bërë traditë organizimi i kësaj jave, e cila do të ndikojë në rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe edukimin e stafit shëndetësor.
Uran Ismaili, ministër i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, theksoi se kjo javë organizohet në kuadër të përpjekjeve për të rritur cilësinë e shërbimeve shëndetësore, por edhe për të ndikuar në edukim profesional të stafit.
Ministri falënderoi shtetin turk dhe Ambasadën e Turqisë në Kosovë, të cilët kanë ndihmuar në organizimin e kësaj jave, duke shtuar se në dekadat e fundit Turqia ka bërë reforma tejet të mëdha në shëndetësi, andaj kjo do të ndihmojë që reformat të jenë të prekshme edhe në Kosovë, duke ndikuar direkt në përfitimin e shërbimeve shëndetësore për pacientët dhe edukimin e stafit.
“26 persona të ndryshëm, profesionistët të ndryshëm nga Turqia do shpërndahen në klinika të ndryshme dhe për një javë dhe me profesionistë të Kosovës do të shkëmbejnë përvojat, ky shkëmbim ka karakteristikë ngritjen e cilësisë së shërbimeve”, u shpreh ai.
Çagri Sakar, ambasador i Republikës së Turqisë në Kosovë, ka thënë se Java e shëndetësisë ndërmjet Kosovës dhe Turqisë do të organizohet nga data 15 deri më 23 qershor, organizim ky që bëhet në kuadër të politikave të jashtme humanitare që ka shteti i Turqisë.
“Në kuadër të politikës së jashtme dhe humanitare për zhvillimin e shëndetësisë, për të ndarë përvojën tonë, ne kemi organizuar në 3 kontinente të ndryshme, ku kemi kryer 25 mijë operacione, me gjithsej 45 javë të shëndetësisë në vendet e ndryshme”, ka thënë ai.
Ambasadori rikujtoi se vitin e kaluar, në kudër të javës së shëndetësisë Kosovë- Turqi, ishin kryer 396 operacione, 1329 trajtime dhe 1256 punëtorë shëndetësorë kishin ndjekur trajnime.
Dr. Basri Sejdiu, drejtor i Përgjithshëm i SHSKUK-së, u shpreh i kënaqur me organizimin e bashkëpunimit me mjekët nga Turqia, duke shtuar se në këtë rast më së shumti përfitojnë pacientët që do të marrin shërbime shëndetësore, por edhe në edukimin e stafit shëndetësor.
“Pacientët do përfitojnë më së shumti, sepse ata do të marrin shërbime, krahas mjeteve dhe pajisjeve që na kanë sjellë, poashtu edhe edukimi i stafit përmes shkëmbimit të përvojave. Ky mision është vazhdimësi e bashkëpunimit që ka kontribuar mjaft në shëndetësinë kosovare, ka thënë Sejdiu.
Në anën tjetër, Arif Çetin, drejtor i Drejtorisë për Çështje Ndërkombëtare dhe BE-së, në Ministrinë e Shëndetësisë së Republikës së Turqisë, tha se Turqia ka marrëveshje për përkrahje të shëndetësisë së Kosovës nga viti 2009.
“Në kuadër të saj, po organizohet kjo javë, por edhe bëhet i mundur trajtimi falas i 100 pacientëve nga Kosova në Turqi, poashtu janë bërë marrëveshje për trajnime të stafit mjekësor”, ka theksuar Çetin.
Ekipi mjekësor nga Turqia ka në përbërje; urologë, gjinekologë, oftalmologë, kirurgë pediatrikë, ortopedë me traumatologë, kardiologë të fëmijëve dhe rriturve, kardiokirurgë për fëmijë dhe të rritur, specialistë të sëmundjeve infektive, radiologë, specialistë të shëndetit dhe sëmundjeve të fëmijëve dhe sëmundjeve të brendshme.
Përfaqësues të mjekëve nga Turqia, thanë se në Kosovë do të praktikojnë pjesët më modern të mjekësisë, me pajisje dhe mjete që janë më të zhvilluarat në spitalet e Turqisë.