Fillon java e të ushqyerit me qumësht gjiri
Me moton “Të Mbështesim Gjidhënien”, sot fillon Java Botërore e Ushqyerjes me Qumësht Gjiri, një javë që synon të theksojë rëndësinë dhe përfitimet e shumta të ushqyerjes me qumësht gjiri për shëndetin e foshnjës dhe mirëqenien e nënës.
Nga sot deri më 7 gusht 2024, aktivitetet kryesore kanë për qëllim promovimin e ushqyerjes me gji, rritjen e ndërgjegjësimit dhe të sigurojnë mbështetje të nevojshme për nënat dhe fëmijët, informimin për përfitimet shëndetësore, edukimin dhe vetëdijesimin e komunitetit për rëndësinë e ushqyerjes me gji dhe mënyrat për të mbështetur nënat.
Përmes programit të vizitave në shtëpi për nënat dhe fëmijët 0-3 vjeç, Ministria e Shëndetësisë dhe Institucionet e Kujdesit Parësor Shëndetësor promovojnë ushqyerjen me qumësht gjiri, duke ofruar këshillim dhe edukim të veçantë për nënat në këtë drejtim.
“Të mbështesim fuqimisht ushqyerjen me qumësht gjiri për një të ardhme më të qëndrueshme për fëmijët tanë!”, ka njoftuar MSH-ja.