Fillon “Java Globale e Ndërmarrësisë”, marrin pjesë rreth 60 biznese të reja
Qendra e Inovacionit të Kosovës (ICK) dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), kanë mbajtur të hënë ceremoninë e hapjes së “Javës Globale të Ndërmarrësisë 2019” në Kosovë.
Uranik Begu, drejtor ekzekutiv i Qendrës së Inovacionit të Kosovës, ka thënë se janë bërë bashkë rreth 60 organizata dhe se brenda javës do të mbahen mbi 80 aktivitete. “Jemi diku rreth 60 organizata të cilat jemi bashkuar. 7 vjet më parë nuk e kemi menduar që nuk do ta kemi lëvizjen e lirë. Bashkimi i forcave na bën të besojmë që ky vend ka një të ardhme të ndritur nëse investojmë në atë që të rinjtë besojnë. Java e ndërmarrësisë sot fillon në 180 shtete. Gjatë javës do të kemi mbi 80 aktivitete”, u shpreh Begu.
Kurse, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, ka thënë se është e rëndësishme që bizneset të shohin perspektivë në vendin tonë.“Është e rëndësishme dhe t’u themi se edhe këtu mund t’ia dilni që të bëni storie të suksesit, siç kanë bërë shumë të tjerë”, ka thënë Zeka, duke shtuar se 14 aktivitete përgjatë tërë javës do të mbahen nëpër qytete të ndryshme në Kosovë.