Fillon Kampi Ndërkombëtar i xhudos në Pejë
Në Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë, ka filluar Kampi Ndërkombëtar Përgatitor.
Xhudistë e xhudiste nga 9 shtete të Evropës po qëndrojnë këtë javë në Pejë ku po stërviten nën udhëheqjen e kryemjeshtrit Driton Kuka dhe trajnerëve Majlinda Kelmendi e Fatos Tabaku.
Momentalisht në këtë kamp po marrin pjesë rreth 100 xhudistë e xhudiste nga Kosova, Shqipëria, Sllovenia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Gjermania, Çekia dhe Greqia.
Kampi Përgatitor është aktivitet që organizohet në kuadër të programit shtetëror “Kosova, shtet i xhudos” nën komponentën, “Diplomacia publike” që ka për qëllim zhvillimin e diplomacisë shtetërore të Kosovës përmes vlerave të xhudos.
Programi shtetëror “Kosova, shtet i xhudos” mbështetet nga Ministria e Sportit.