Fillon ‘Karvani i vaksinimit’ në Kosovë
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se sot (e enjte) në Kosovë do të nisë një aktivitet shtesë me qëllim të promovimit të vaksinimit kundër gripit sezonal dhe kundër Covid-19, i quajtur “Karvani i vaksinimit”. “Ky është një aktivitet shtesë njëmujor me qëllim të promovimit të vaksinimit kundër gripit sezonal dhe kundër Covid-19 dhe rritjes së numrit të të vaksinuarve kundër këtyre dy sëmundjeve. Tashmë qytetarët e Kosovës mund ta vaksinohen kundër Covid-19 edhe me dozat bivalente përforcuese”, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë, duke bërë me dije se ‘Karvani i vaksinimit’ do të nisë me komunën e Fushë-Kosovës.
Sipas MSh-së, ky aktivitet synon që t’i ndihmojë qytetarët për ta kuptuar sa më mirë rëndësinë e vaksinimit, njëkohësisht për t’u vaksinuar kundër gripit sezonal dhe kundër Covid-19, në kohën kur në vende të ndryshme të botës numri i rasteve të reja të Covid-19 ka filluar të rritet. “Për këtë qëllim, për një periudhë kohore prej më shumë se një muaji, në komunat e Kosovës ekipet e vaksinimit do t’u mundësojnë qytetarëve që të vaksinohen përmes këtij aktiviteti”, ka njoftuar MSh-ja.
Objektivat e “Karvanit të vaksinimit” janë: Inkurajimi i qytetarëve për vaksinim kundër Covid-19 dhe kundër gripit sezonal dhe promovimi i sjelljeve parandaluese dhe masave të shëndetit publik; Sigurimi që vaksinimi kundër gripit sezonal dhe Covid-19 të jetë lehtësisht i arritshëm në komunitetet lokale, veçanërisht për popullatën me të ndjeshme dhe; Promovimi i pjesëmarrjes së drejtuesve të komunitetit në aktivitetet lokale për t’i adresuar pengesat në procesin e vaksinimit.
Gjatë “Karvanit të vaksinimit”, përveç vaksinës kundër gripit sezonal, qytetarët do të mund të vaksinohen edhe me dozat bivalente përforcuese kundër Covid-19, të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë. “Dozat bivalente përforcuese kundër Covid-19 janë në dispozicion të qytetarëve në të gjitha qendrat e vaksinimit në komunat e Kosovës. Këto vaksina mbrojnë si nga virusi fillestar që shkakton Covid-19, po ashtu edhe nga varianti Omicron. Gjithashtu, ndihmojnë në rivendosjen e mbrojtjes që është zbehur me kalimin e kohës dhe ofrojnë mbrojtje më të gjerë kundër varianteve më të reja të virusit. Për ta vazhduar mbrojtjen kundër Covid-19, sigurohuni ta merrni dozën bivalente përforcuese, të tretë ose të katërt!”, ka njoftuar kjo ministri.
Kjo nismë është organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike me mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Kush mund të vaksinohet me dozën bivalente përforcuese? “Vaksina bivalente ‘Pfizer’ është e autorizuar si një dozë e vetme përforcuese për individët 12 vjeç e lart. Edhe pse vaksina bivalente kundër Covid-19 me variantet ‘Omicron’ është aprovuar për përdorim te personat e moshës 12 vjeç e lart, si një dozë e vetme përforcuese. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike këshillon që me doza përforcuese bivalente të vaksinohen me prioritet personat mbi 60 vjeç, punëtorët shëndetësorë, ata me imunitet të komprometuar (nga mosha 12 vjeç) dhe gratë shtatzëna. Vaksina bivalente përforcuese kundër Covid-19 mund të bashkadministrohet me vaksina të tjera, duke përfshirë vaksinën kundër gripit”, është bërë me dije në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Kur mund ta marrin qytetarët dozën bivalente përforcuese? “Doza bivalente përforcuese mund të merret kur kanë kaluar së paku dy muaj nga doza e dytë ose e tretë kundër Covid-19. Doza bivalente përforcuese mund të merret vetëm si dozë përforcuese – e tretë ose e katërt, e jo si dozë e parë ose e dytë”, ka njoftuar MSh-ja.