Fillon krasitja e pemëve dhe mirëmbajtja e hapësirave gjelbëruese në Mitrovicë
22 mars 2022
| 15:04
Në kuadër të projektit të mirëmbajtjes së hapësirave publike në Komunën e Mitrovicës, të martën ka filluar procesi i krasitjes së pemëve dhe drunjve dekorativ në hapësirat gjelbëruese në qytetin e Mitrovicës.
Këtë proces nga afër e kanë përcjellë nënkryetari i komunës, Arian Tahiri, së bashku me drejtorin e Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, Granit Tmava.
Me këtë rast, nënkryetari Tahiri ka theksuar se komuna do t’i kushtojë vëmendje të veçantë hapësirave gjelbëruese në mënyrë që ambienti i qytetit të ketë pamje edhe më të mirë.
Ndërsa drejtori Tmava ka bërë me dije se Drejtoria për Shërbime Publike nga java e ardhshme do të fillojë me mbjelljen e luleve dhe drunjve tjerë dekorativ.