Fillon krijimi i policisë së gjelbër
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi, është pritur në takim nga ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi me ç’rast kanë rënë dakord për themelimin e grupeve punues për krijimin e Policisë së Gjelbër.
Me këtë rast, Matoshi ka potencuar rëndësinë e krijimit të policisë së gjelbër që sipas tij, ka rol në shqiptimin e gjobave ndaj atyre që hedhin mbeturina në mënyrë të kundërligjshme.
“Për një ambient të pastër duhet filluar sa më parë, pasi që ndotja konsiderohet si problemi i dytë kryesor në Kosovë. Në këtë aspekt ne si MMPH kemi vlerësuar si të domosdoshme krijimin e policisë së gjelbër”, ka deklaruar Matoshi.
Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka mbështetur iniciativën e Matoshit për krijimin e këtij njësiti të gjelbër policor.
“Si ministër i MPB-së mbështes këtë iniciativën si të domosdoshme. Në këtë aspekt kërkojë nga përfaqësuesit kompetent të policisë që të shikojnë mundësinë ligjore dhe njerëzore për formimin e një njësiti të tillë”, është shprehur Gashi.
Matoshi dhe Gashi janë pajtuar për krijimin e një plani të veprimit si dhe analizimin e modaliteteve të vendeve perëndimore që janë aplikuar në krijimin e policisë së gjelbër.
Iniciativa për krijimin e policisë së gjelbër është në kuadër të angazhimeve për pastrimin e vendit, aksion ky i cili fillon më 15 shtator dhe koordinohet nga u.d i ministrit të MMPH-së, Fatmir Matoshi.
/Epoka e re/