Fillon largimi i kamionëve nga Jarinja

02 tetor 2021 | 12:47

Sot ka nisur zhbllokimi i dy pikave kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Këto dy pika kufitare janë bllokuar nga serbët lokalë prej 20 shtatorit, kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të zbatojë masën e reciprocitetit në targat e makinave të regjistruara në Serbi.

Por, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë arritur pajtueshmëri më 30 shtator për çështjen e targave dhe zhbllokimin e veriut.

Në orët e hershme të mëngjesit, në afërsi të këtyre dy pikave kufitare janë parë pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Në një komunikatë për media, KFOR-i ka thënë se, nga kjo fundjavë e deri në dy javët e ardhshme, ky mision do të jetë prezent në këtë zonë, në përputhje me marrëveshjen e arritur dhe me mandatin që ka.

Ekipet e Radios Evropa e Lirë në të dyja këto pika, kanë raportuar se serbët lokalë, kanë ndezur kamionët e tyre dhe pritet të largohen nga këto hapësira.

Deri në orën 08:00, njëra korsi e rrugës në Jarinjë është liruar nga protestuesit.

Më pas në orën 12:15 kanë nisur të largohen edhe kamionët e mbetur.

Të pranishëm janë edhe pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

Edhe në Bërnjak, kamionët janë duke u bartur në njërën korsi, për ta liruar rrugën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një rast i rrallë i lindjes është regjistruar në Klinikën…