Fillon ndarja e 60 milionëshit për bizneset
Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit në Kosovë ka bërë me dije se ka ekzekutuar të martën pagesën e parë në përkrahje financiare për bizneset e vendit.
Sipas një komunikate për media të kësaj ministrie, nga 60 milionë euro që ishin ndarë nga Qeveria e Kosovës për të ndihmuar bizneset, janë ekzekutuar mbi 37 milionë euro për rreth 16 mijë biznese të cilat i kanë plotësuar kushtet në këtë fazë.
“Në kuadër të zbatimit të Planit i aprovuar sot nga Qeveria e Republikës së Kosovës për zbatimin e Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit (MEA) ka ekzekutuar sot pagesën e parë në kohë rekorde në përkrahje financiare për bizneset e vendit. Vendimi i qeverisë për mbështetje ndaj bizneseve ka ardhur si rezultat i kërkesës së vazhdueshme nga Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi. Shuma e cila është ndarë në këtë kategori arrin vlerën e 60 milionë euro subvencione ku gjatë ditës së sotme nga MEA është ekzekutuar pagesa e parë prej 37,710,730 milionë euro për 15.745 biznese të cilat i kanë plotësuar kushtet në këtë fazë sipas programit për rimëkëmbje ekonomike”, është bërë me dije në njoftimin e kësaj ministrie, ku është theksuar se pjesa tjetër e vendimit do të zbatohet në ditët në vijim ku do të përfitojnë të gjitha bizneset të cilat kanë aplikuar sipas kritereve të parapara.
Qeveria e Kosovës më 28 shtator ka ndarë 60 milionë euro për bizneset private, për t’i rikuperuar humbjet që kanë pësuar nga pandemia Covid-19.
Bizneset është thënë se do të ndihmohen në bazë të listës së numrit të punëtorëve të regjistruar që kanë në muajin dhjetor të vitit 2019, ndërkaq për bizneset e reja merren të dhënat e muajit korrik të vitit 2020.
(A.M / Epoka e re)