Fillon ndërtimi i çerdhes “Xixëllonjat” në Prishtinë
Sot, ka nisur ndërtimi i çerdhes “Xixëllonjat” në lagjen Pejton të qytetit të Prishtinës.
Kështu ka bërë të ditur drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, e cila ka njoftuar se të martën ka nisur ndërtimi i çerdhes “Xixëllonjat”, në lagjen “Pejton”. Çerdhja e vjetër në këtë lagje ka qenë e mbyllur për më shumë se 3 vite për tu ndërtuar e reja, por procedurat e tenderimit dhe kriza globale ekonomike ka bërë që të zgjatet me vite të tëra fillimi i ndërtimit të saj.
Musmurati ka shkruar në “Facebook” se objekti i ri do të jetë afro 3.000 metra katrorë dhe pritet t’i akomodojë 200 fëmijë.
“Jemi plotësisht të përkushtuar që të sigurojmë qasje për sa më shumë familje të Prishtinës në edukim të hershëm dhe në ambiente sa më miqësore për fëmijë. Ma gjallë, ma bukur e ma shumë shërbime”, ka shkruar Musmurati.
Drejtoresha e Arsimit po ashtu ka theksuar se rrënimi i objektit të vjetër nisi të hënën, ndërsa kontrata për punimet e reja u zhbllokua pas disa viteve.