Fillon ndërtimi i zonës ekonomike në Suharekë
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala, gjatë përurimit të nisjes së punimeve për ndërtimin e infrastrukturës fizike të zonës ekonomike në Shirokë të Suharekës, siguroi të gjitha bizneset se do të punojë shumë në krijimin e kushteve që ta kenë sa më te lehtë të bërit biznes.
Shala theksoi se investimi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë prej 2.4 milionë euro në zonën ekonomike të Suharekës, bën kompletimin e infrastrukturës fizike dhe funksionalizimin e tërësishëm të saj. “Është nder dhe kënaqësi që si ministër i Tregtisë dhe Industrisë të marr pjesë në fillimin e punimeve për përfundimin komplet të infrastrukturës së parkut të biznesit në Suharekë. Ky është investim i MTI-së, që kap vlerën 2.4 milionë euro dhe me këtë do të përmbyllët e gjithë infrastruktura fizike e parkut të biznesit në Suharekë. Ashtu siç e tha edhe zëvendëskryeministri Limaj, unë sot përmes jush dua t’i siguroj të gjitha bizneset për përkushtimin tim dhe të MTI-së, që bizneseve do t’iu ofrojmë kushte që ta kenë më të lehtë të bërit biznes në Kosovë”, ka thënë ministri Shala.
Ndërsa, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, theksoi se Qeveria e Kosovës ka mbajtur premtimin për parkun e biznesit, dhe sipas tij, po përmbyllet një projekt që është promotor i zhvillimit ekonomik të Suharekës, por edhe regjionit të Prizrenit.