Fillon ndërtimi i serrave për bujqit e Malishevës
Në kuadër të subvencioneve në bujqësi, në komunën e Malishevës ka filluar realizimi i projektit për ndërtimin e serrave për bujq.
Kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka thënë se ndërtimi i serrave është pjesë e subvencioneve për fermerët të cilët kanë nevojë për përkrahje.
“Njëkohësisht ky është realizim i një prej prioriteteve tona, pasi bujqësia është sektori kyç i zhvillimit ekonomik tek ne, dhe në të njëjtën kohë krahas rritjes së mirëqenies për këto familje rritet mundësia e furnizimit të tregut me produkte vendore”, ka thënë Begaj.
Ndërsa drejtori për Bujqësi, Murat Hoxha, ka sqaruar se në këtë projekt, përfitues të serrave janë 35 bujq nga komuna e Malishevës.
“Ne po mundohemi që të gjitha planifikimet tona t’i realizojmë dhe kjo është prej prioriteteve që ka drejtoria për bujqësi. Në këtë projekt, përfitues do të jenë 35 bujq, ndërsa ndërtimi i serrave është një vazhdimësi nga vitet e kaluara dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen, pasi përmes kësaj familjet përfituese po krijojnë edhe të hyra, gjithashtu po ulet shkalla e papunësisë”, ka thënë Hoxha.
/Epoka e re/