Fillon në Bruksel takimi trepalësh në mes të Kosovës, Serbisë dhe BE-së
Delegacionet e ekspertëve nga Kosova dhe Serbia kanë nisur takimin e përbashkët në Bruksel me ndërmjetësit e BE-së në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.
Në takimet, të cilat do të zgjasin dy ditë, do të diskutohen detajet në fushën e marrëdhënieve ekonomike, si dhe çështjet e të zhdukurve dhe të zhvendosurve nga Kosova, raporton “Tanjug”.
Gjatë ditës i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka zhvilluar takime të ndara me koordinatorin e Kosovës për dialog, Skender Hysenin dhe përfaqësuesin nga Serbia, Marko Gjuriqin.
“Sot, ne vazhdojmë diskutimet tona politike në nivelin e ekspertëve. I kënaqur të mirëpres negociuesit e të dy palëve, Skender Hyseni dhe Marko Gjuriq këtë mëngjes”, ka shkruar ai në llogarinë e vet në “Twitter”.