Fillon nënshkrimi i peticionit “Ta mbrojmë Erenikun”
Qytetarët e Komunës së Junikut kanë filluar të premten ta nënshkruajnë peticionin “Ta mbrojmë Erenikun”.
Kryetari i kësaj komune, Agron Kuçi, ka qenë personi i parë që ka nënshkruar këtë peticion.
Me anë të këtij peticioni qytetarët e Komunës së Junikut kanë mundësi të shprehin pakënaqësinë e tyre për marrjen e burimit të ujit të Erenikut të vogël nga Komuna e Gjakovës.
“Peticioni do të vazhdojë deri më 18 janar para objektit të Komunës së Junikut. Po ashtu të gjithë qytetarët kanë mundësi ta marrin formën e peticionit në shtëpi dhe ta nënshkruajnë familjarët e tyre. Peticioni mund të merret në Zyrën e Tatimit në Pronë në Komunën e Junikut”, është thënë në njoftimin për media të Komunës së Junikut.
Gjithashtu në këtë njoftim bëhet me dije se Komuna e Junikut nuk është kundër furnizimit me ujë për fshatrat e Gjakovës, por është kundër degradimit të vazhdueshëm që Komuna e Gjakovës dhe KRU Gjakova po i bëjnë mjedisit dhe tendencës së tyre që në kundërshtim me Ligjin për Ujërat të Kosovës dhe Konventave Ndërkombëtare për ujërat, t’ia ndërrojnë rrjedhën ujit dhe ta marrin atë kundërligjshëm.
/Epoka e re/