Fillon numërimi i votave të diasporës për Dragash
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka filluar numërimi i votave të diasporës të cilat i takojnë përsëritjes së raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës së Dragashit.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, i cili tha se numërimi pritet të përfundojë brenda një ore.
“KQZ ka pranuar 381 pako të supozuara me fletëvotime dhe gjatë procesit të vlerësimit të atyre pakove rezulton se kanë qanë 696 zarfe. Duke e ditur që është një numër i vogël fletëvotimeve besojmë që brenda një kohe të shkurtë, do të përfundojë sonte. Brenda një ore do të përmbyllet ky proces”, u shpreh ai para mediave.
Kujtojmë se Gjykata Supreme e Kosovës pati marrë vendim që të përsëritet procesi i votimit nga jashtë Kosovës në komunën e Dragashit.
Votat nga diaspora për kandidatët për kryetar të Dragashit e kishin përmbysur rezultatin në këtë komunë.
Aktualisht me votat e rregullta dhe ato me kusht, Shaban Shabani i PDK-së prin me 17 vota më shumë se Bexhet Xheladini i LDK-së.