Fillon pagesa e subvencioneve
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural tanimë ka filluar me realizimin e pagesave direkte apo subvencioneve. Këtë e bëri me dije ministri i MBPZHR-së, Besian Mustafa, i cili tha se pagesa e subvencioneve sivjet do të bëhet dy herë në krahasim me vitin 2019, raporton “Epoka e re”.
Sipas ministrit Mustafa, për të gjitha kulturat dhe për të gjitha masat pagesa do të bëhet dy herë.
Ai ka sqaruar se fillimisht do të paguhet pjesa e parë sipas programit të rregullt kurse pasi të jenë paguar subvencionet për të gjithë fermerët, do të fillojë të bëhet edhe pagesa e dytë e subvencioneve për të gjithë përfituesit.
Ministri Mustafa ka thënë se përkrahja ndaj fermerëve ka për qëllim kthimin e vitit 2020 nga një vit plot sfida për bujqësinë, në një vit të fuqishëm për bujqësinë e Kosovës.
Vendimi për dyfishimin e subvencioneve për të gjitha kulturat u soll si pjesë e Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike. Ky vendim ishte kundërpërgjigje e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për t’u dalë në ndihmë fermerëve të Republikës së Kosovës, për ta përballuar goditjen që shkaktoi pandemia Covid-19.