Fillon pagesa për komisionerët e angazhuar në zgjedhjet e fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar opinionin publik se gjatë këtyre ditëve ka dërguar në Ministrinë e Financave (MF) listën për pagesë të një pjese të stafit të angazhuar në procesin zgjedhor 2017.
“Duke u mbështetur në kufizimet buxhetore dhe pamundësinë për të përmbyllur të gjitha pagesat në këtë kohë, njoftojmë se pagesat kanë filluar të realizohen për 1 mijë e 126 persona nga gjithsej 1 mijë e 748 të cilët kishin mbetur pa paguar deri në përfundim të vitit të kaluar. Pra, transferimi i mjeteve, që pritet të përmbyllet të martën (24 korrik), është bërë në llogaritë aktive të 1 mijë e 126 personave të cilët kanë qenë të angazhuar në komuna të ndryshme të Kosovës si: komisionerë; personeli për raportimin e rezultateve preliminare (K-Vote); dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Mjetet janë siguruar nga buxheti i KQZ-së, saktësisht nga projektet të cilat kanë pasur të realizohen në këtë pjesë të dytë të këtij viti”, ka njoftuar KQZ-ja.
KQZ-ja ka bërë me dije se sapo të sigurohen mjetet financiare do të paguhet edhe personat tjerë që kanë qenë të përfshirë në procesin zgjedhor.
“Gjithashtu, njoftojmë se pagesa për pjesën e mbetur, 622 persona, do të bëhet sapo të sigurohen mjetet e nevojshme dhe për këtë do të informohen me kohë. Pra, këtu përfshihen 455 persona nga Komuna e Klinës dhe 167 të tjerë nga Komuna e Prizrenit. Duke pasur parasysh se Zgjedhjet Lokale janë mbajtur në fund të vitit të kaluar, disa pagesa për trupat zgjedhore nuk ishte e mundur të realizoheshin brenda vitit 2017”, ka njoftuar KQZ-ja.
/Epoka e re/